Ngrohja globale kalon 1.5 gradë Celsius

Shkencëtarët: Rritja nuk është befasi, por reduktimet e gazrave janë mënyra e vetme për të ndaluar ngrohjen

Për herë të parë, ngrohja globale ka tejkaluar 1.5 gradë Celsius. Kjo shkelje e parë njëvjeçare nuk e thyen marrëveshjen e Parisit, por e afron botën më afër për ta bërë këtë në planin afatgjatë, sipas shkencëtarëve.

Në muajt e fundit, një fenomen natyror i ngrohjes së klimës i njohur si El Niño i ka dhënë gjithashtu një rritje shtesë temperaturave të ajrit. Temperaturat mesatare globale të ajrit filluan të kalojnë 1.5C pothuajse çdo ditë në gjysmën e dytë të vitit 2023, kur El Niño filloi dhe kjo ka vazhduar në vitin 2024.

“Të kalosh mbi 1.5C të ngrohjes në një mesatare vjetore nuk është ndonjë befasi e madhe, por bota duhet ta dijë se çfarë të bëjë më pas”, thonë shkencëtarët.

Por aktivitetet njerëzore nënkuptojnë se temperaturat përfundimisht do të vazhdojnë të rriten në dekadat e ardhshme, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. Ekspertët kanë bërë thirrje se reduktimet e shpejta të emetimeve të gazrave serrë janë mënyra e vetme për të ndaluar rritjen e temperaturave globale.

Udhëheqësit botërorë premtuan në vitin 2015 se do të përpiqen të kufizojnë rritjen afatgjatë të temperaturës në 1.5C, gjë që shihet si thelbësore për të ndihmuar në shmangien e ndikimeve më të dëmshme. Një raport historik i OKB-së në 2018 tregoi se rreziqet nga ndryshimet klimatike të tilla si valët e të nxehtit intensiv, rritja e nivelit të detit dhe humbja e jetës së egër ishin shumë më të larta.

Ndërkaq në një raport të fundit, bota përjetoi janarin e saj më të nxehtë të regjistruar, duke vazhduar një seri nxehtësie të jashtëzakonshme të nxitur nga ndryshimet klimatike. Gjithashtu edhe dhjetori i vitit të kaluar ishte më i ngrohti duke thyer rekordin e vitit 2020. Viti 2023 u rendit si viti më i nxehtë i planetit në rekordet globale që nga viti 1850, pasi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe fenomeni i motit El Nino, i bënë temperaturat edhe më të larta.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share