Kenneth Law, një ish-shef kuzhine, akuzohet se ka furnizuar me lëndë helmuese kimike disa njerëz të cilët më pas kanë kryer vetëvrasje. Për këtë arsye, policia në Kanada i ka ngarkuar 57-vjeçarit 14 akuza për vrasje të shkallës së dytë.
Fillimisht ai u akuzua për shtyrje drejt vetëvrasjes në lidhje me vdekjet e disa personave, të cilët dyshohet se e kanë marrë lëndën kimike vdekjeprurëse nga ai online.
Vetëm në Britaninë e Madhe, Law e kanë lidhur me të paktën 90 vdekje. Për këtë arsye BBC kërkoi një reagim dhe avokati i Law, Matthew Gourlay, tha se klienti i tij do të deklarohet i pafajshëm në lidhje me këto akuza.
Akuzat për vrasje u njoftuan të martën nga policia dhe shënojnë një rritje të hetimit ndaj Law në Kanada, ku siç shkruajnë mediat, ka qenë subjekt i një hetimi “shumë aktiv dhe kompleks” që përfshin 11 agjenci policore në Ontario.
Duke folur në emër të këtij hetimi, Simon James, një inspektor në Policinë Rajonale të York-ut tha se akuzat e reja për vrasje lidhen me 14 viktima në Ontario.
“Ka pasur prova që mbështesin akuzën e vrasjes së shkallës së dytë”, theksoi James, por nuk pranoi të tregonte detaje të mëtejshme pasi hetimi është në vazhdim.
Bashkë me akuzat e vrasjes, ndaj ish-shefit të kuzhinës ka edhe 14 akuza për ndihmë dhe këshillim të vetëvrasjes në lidhje me të njëjtat vdekje në Ontario. Pra në total për të bëhen 28 akuza. Nëse shpallet fajtor, 57-vjeçari mund të dënohet me burgim të përjetshëm sipas ligjeve në Kanada.
Law vijon që të qëndrojë i burgosur. Ai nuk është subjekt vetëm i agjencive policore në Kanada, por edhe përtej oqeanit në Mbretërinë e Bashkuar etj. James tha se policia në Ontario po bashkëpunon me këta hetues ndërkombëtarë.
Hetuesit në Kanada janë shprehur se Law ka drejtuar një numër të ndryshëm website-sh duke ofruar pajisje dhe substanca për të ndihmuar njerëzit që t’i jepnin fund jetës së tyre. Policia beson se ai mund të ketë dërguar më shumë se 1200 pako me lëndën vdekjeprurëse në 40 vende të ndryshme të botës duke ngritur në këmbë Interpolin.
Fillimisht akuzat ndaj Law u hodhën në Maj kur edhe u arrestua për shtyrje drejt kryerjes së vetëvrasjes. Në Gusht, policia ngriti të tjera akuza ndaj tij, të gjitha të lidhura me vdekjet që ndodhën në Ontario.
James tha se mosha e viktimave varion nga 16 deri në 36 vjeç. Sipas tij, nën moshën 18-vjeçare ka më shumë se 1 viktimë.
Shumë nga viktimat e pretenduar të Law janë edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Agjencia Kundër Krimit (NCA), thotë se ai u ka dërguar pako 272 personave. Sipas NCA-së, 90 prej klientëve të tij që e morën pakon vdiqën më vonë, megjithatë ata nuk mund ta konfirmojnë nëse ka qenë substanca toksike shkaku i vdekjes së tyre.
Akuzat për Law janë mirëpritur nga David Parfett, djali i të cilit, Tomi, vetëm 22 vjeç bleu lëndën kimike nga ish-shefi i kuzhinës dhe i mori jetën vetes në Tetor të vitit 2021. Megjithatë shumë njerëz i frikësohen faktit se ka shumë njerëz të tjerë si Law që mund t’i zënë vendin atij dhe që shesin lëndën helmuese kimike.
James u shpreh se disa website të Law janë ndërtuar jashtë Kanadasë ku shteti nuk ka dot juridiksion. Kujtojmë se produkti vdekjeprurës i Law erdhi deri në Itali, ku u zbulua vdekja e një mësueseje. Nëpërmjet një letre që ajo la pas, autoritet zbuluan se lidhej me Law.
Law u shiste atyre nitrit natriumi. Kjo lëndë në pamje të parë duket e padëmshme dhe përdoret në industrinë ushqimore si ngjyrues. Megjithatë disa gramë më tepër të shkrirë në ujë, pa shije dhe pa ngjyrë e bëjnë vdekjeprurës. Ky produkt, gjithashtu është i lehtë për t’u blerë, i lirë dhe pa asnjë lloj kufizimi. /tvklan.al