Ngrihet aktakuzë ndaj Hunter Biden për armëmbajtje

Dokumentet tregojnë se ai gënjeu për përdorimin e substancave narkotike në kohën kur bleu armën

Një aktakuzë është ngritur ndaj djalit të presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden nën dyshimin se ai gënjeu gjatë blerjes së një arme zjarri. Ai përballet me tre akuza penale që lidhen me faktin se ai ishte përdorues substancash narkotike gjatë asaj kohe.

Prokurori i posaçëm në SHBA ka ngritur padi ndaj djalit të presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden me akuzat se gënjeu gjatë blerjes së një arme zjarri. Dokumentet e gjykatës tregojnë se Hunter Biden gënjeu në formularët për përdorimin e substancave narkotike në kohën kur kishte blerë një armë zjarri Kolt Kobra, në tetor të vitit 2018. Kjo është hera e parë që ngritet padi ndaj një djali ose vajze të një presidenti në detyrë.

Ai përballet me tre akuza penale që lidhen me faktin se ai ishte përdorues substancash narkotike gjatë asaj kohe, gjë që, sipas ligjit, ia ndalon posedimin e armës. Akuzat dhe procesi gjyqësor ndaj tij, pritet të ndiqen me shumë vëmendje teksa përkojnë me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Padia e re ndaj Hunter Biden-it nuk përfshin shkeljet e tij ndaj ligjit të Shteteve të Bashkuara për taksat.

Një marrëveshje paraprake sipas të cilës Hunter Biden-i do të pranonte fajësinë për dy shkelje të lidhura me akuzat për taksa dhe do t’i nënshtrohej një programi rehabilitimi për të shmangur ndjekjen penale për armëmbajtje u hodh poshtë gjatë një seance dëgjimore në korrik. Padia ndaj Hunter Biden-it është ngritur dy ditë pasi Kongresi, ku ligjvënësit republikanë kanë shumicën, filloi hetimet për të përcaktuar nëse ka bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Biden me dyshimet se ai ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit të tij.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share