LSDM: OPOZITA FAJTORE. VMRO-DPMNE, SHKAK ËSHTË EPIDEMIA E KORRUPSIONI
LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë vazhduar përplasjen për bllokimin e Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat me BE-në. Nga LSDM thonë se fajtor janë VMRO-DPMNE-ja dhe “Levica” me politikat e tyre destruktive. Ndërsa nga VMRO-DPMNE akuzojnë pushtetin se nuk ka marrë leje nga BE për fillim të negociatave për shkak të krimit dhe korrupsionit.
LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë vazhduar përplasjet rreth dështimit të Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian. Nga partia e Dimitar Kovaçevskit akuzojnë opozitën maqedonase si fajtore për shkak të politikave të saj.
“Konkluzionet e Këshillit Evropian janë të qarta – kemi pasur një shqyrtim të suksesshëm dhe konferenca e dytë ndërqeveritare do të thirret pa vonesë për të hapur kapitujt pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Të nderuar! Na u përsërit vitit 2008 nga e njëjta parti politike DPMNE, e cila atëherë bllokoi anëtarësimin në NATO, u përpoq të bllokonte përparimin drejt BE-së. Bllokimet aktive dhe destruktive të DPMNE-së në Kuvendin e Maqedonisë janë në dëm të gjithë qytetarëve” – tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Por nga VMRO-DPMNE u përgjigjën se pikërisht sistemi i rrënuar i shtetit nga ana e LSDM-së është fajtore për vendimin e BE-së. Nënkryetari i Partisë, Aleksandar Nikollovski, theksoi se nëse pushteti do ti kishte përmbushur kushtet, edhe Bullgaria do të kishte presion nga Kancelari Gjerman që të hapen negociatat.
“Ukraina kishte problem me Austrinë dhe Hungarinë, si dhe pjesërisht me Sllovakinë, të cilat janë shumë më të fuqishme se Bullgaria, andaj askush nuk mund të më bind se nëse qendrat evropiane vlerësojnë se Maqedonia është e gatshme, Maqedonia do të fillojë negociatat. Është e dukshme se Bullgaria përdoret vetëm si shkak i mirë, por kjo është arsye plus për ndryshime në shtet, pasi që patjetër njëherë të luftojmë me krimin dhe korrupsionin, nëse dëshirojmë të na shohin seriozisht dhe të mund të ecim para” – tha Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, epidemia me korrupsionin në Maqedonie është një nga arsyet pse vendi nuk mori datë për fillimin e negociatave. /KlanMacedonia/