Nga karriera dhe objektivi me Inter Miamin te puna e trajnerit dhe Kupa e Botës 2026 – Messi flet për gjithçka me Fabrizio Romanon

Në një intervistë për gazetarin e famshëm italian, Fabrizio Romano, futbollisti argjentinas Lionel Messi ka folur për disa tema, ndërsa ndër të tjera ka treguar se nuk dëshiron të bëhet trajner kur të përfundojë karrierën e tij futbollistike.

Edhe pse nuk e ngarkon veten me plane për të ardhmen, Messi është absolutisht i sigurt për një gjë.

“Unë nuk dua të jem trajner, por ende nuk jam i sigurt se çfarë do të doja të bëja në të ardhmen. Tani e vlerësoj shumë më tepër atë që bëj çdo ditë, kështu që mendoj vetëm të luaj, të stërvitem dhe të kem argëtim”, ka thënë fillimisht Messi.

Paraqitja e tij për Argjentinën në Kupën e Botës 2026 është gjithashtu e pasigurt.

“Sinqerisht, nuk e di. Më kanë bërë këtë pyetje disa herë, veçanërisht në Argjentinë. Shpresoj ta përfundoj sezonin në një mënyrë të mirë dhe më pas të kem përgatitje të mira, diçka që nuk e kam pasur sezonin e kaluar për shkak të kësaj do të shoh se çfarë do të ndodhë dhe si do të ndihem në futboll, kështu që do të jetoj ditë pas dite pa menduar shumë për të ardhmen”.

 

 

Messi është shumë i lumtur me karrierën e tij të pabesueshme.

“Lëri njerëzit të më kujtojnë ashtu siç duan. Unë jam shumë mirënjohës për karrierën time, arrita gjithçka që doja falë Zotit. Ëndrra ime më e madhe ishte të fitoja Kampionatin Botëror, luftova për të për një kohë të gjatë dhe më kushtoi shumë. Kam pasur shumë fat që të fitoj gjithçka me Barcelonën, me ekipin kombëtar dhe të kem një jetë dhe familje të bukur, i jam mirënjohës Zotit për gjithçka që kam kaluar”.

Ai gjithashtu gëzon Inter Miamin, duke thënë se dëshiron ende trofe.

“Ne duam titullin në MLS. Gjatë vitit kemi bërë shumë gabime qesharake që mund t’i kishim shmangur. Në play-off nuk duhet të ndodhë sepse mund të rezultojë në eliminim. Mendoj se jemi ndër favoritët. Klubi nuk ka kufij, kjo është filozofia, ata treguan se me gjithçka që kanë bërë deri më tani, ne duhet të vazhdojmë të rritemi në mënyrë që të jemi të mëdhenj në MLS, dhe pse jo në të gjithë botën”, përfundoi argjentinasi. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share