Nga 1 Shkurti korsi e shpejtë për kamionët në kufirin mes Serbisë e Maqedonisë së Veriut

Nis zbatimin marrëveshja në kuadër të Ballkanit të Hapur

Nga data 1 shkurt kamionët do të kalojnë shumë më shpejt në vendkalimin kufitar mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në Preshevë-Tabanovc për shkak të ndryshimit të procedurave në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”. Pritet që liderët Vuçiq, Kovaçevski të diskutojnë të hënën në Shkup jetëzimin e marrëveshjeve të tjera pjesë e kësaj iniciative rajonale.

Ky zhvillim shënon fillimin e zbatimit të Protokollit për Zbatimin e Memorandumit për Masat për Përmirësimin e Lëvizjes së Njerëzve dhe Mallrave mes shteteve pjesë e iniciativës Ballkani i Hapur.

Në hyrje të territorit doganor të Maqedonisë së Veriut do të regjistrohet vetëm kalimi i kufirit dhe mbërritja e mallit.

E njëjta gjë do të zbatohet edhe në rastin e eksportit nga një vend në tjetrin, me faktin se në atë rast është e nevojshme të pajiset me një deklaratë eksporti të shoqëruar me një vërtetim të peshimit të mallit të vërtetuar me vulën e administratës doganore të vendit.

Kur automjetet do të hyjnë në territorin doganor të Republikës së Serbisë ose Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’u njihet certifikata e peshimit të ngarkesës, si dhe dokumentacioni shoqërues i tranzitit i vërtetuar me vulën e administratës doganore fqinje, e cila është një parakusht kryesor për shpejtësi të konsiderueshme.

Ngarkesa e shoqëruar me certifikatë peshimi të vulosur nga autoritetet doganore dhe dokument përcjellës tranziti me MRN për procedurë të përbashkët tranziti – T1 do të kete shiritin e posaçëm të trafikut të shënuar “Ballkan i hapur” dhe “Tranzit” në vendkalimin kufitar.

Në kufi do të ketë një korsi të dedikuar për çdo transportues, eksportues apo importues të regjistruar në një nga shtetet anëtare te nismës “Ballkani i Hapur”, si dhe për të gjithë mbajtësit e statusit të Subjektit Ekonomik të Autorizuar nga cilido nga shtetet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

Klan News

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share