Koordinatori i Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, në konferencën e sotme për media në Kuvend, theksoi se kanë siguruar shumicën për të votuar ministrat e rinj të Shëndetësisë dhe Shoqërisë së Informatikës dhe Administratës, Ilir Demiri dhe Naim Bajrami në vend të ministrave të mëparshëm Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti.
“Po, ne kemi shumicë dhe kjo punë do të përfundojë sot”, tha Neziri dhe theksoi se e gjithë procedura do të varet nga fjalimet e deputetëve.
Duke komentuar tubimin e djeshëm të Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë të thirrur nga kryetari Arben Taravari, Neziri ka theksuar se ai tubim nuk është legjitim në bazë të Statutit të partisë. Ai thekson se nga informacionet që kanë në mbledhjen e djeshme kanë qenë më pak se 40 anëtarë dhe jo 75 anëtarë siç kanë thënë dje në mbledhje.
“Nuk janë reale, sepse edhe ajo ngjarje nuk ka qenë Kuvend, sepse dihet në bazë të Statutit që kryetari i Kuvendit të partisë mund ta thërrasë dhe ka një afat prej shtatë ditësh. Kuvendi Ligjor i Aleancës për Shqiptarët do të mblidhet të shtunën në ora 13 në Shkup. Është ligjore dhe procedurale e bazuar në statut dhe procedurat ligjore”, tha ai.