Netanyahu sfidon Biden për krijimin e shtetit palestinez

Irani zotohet për hakmarrje ndaj sulmit raketor në Damask të Sirisë ku mbetën të vrarë pesë oficerë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë sërish idenë e krijimit të një shteti palestinez.

Komentet e tij erdhën disa orë pas një telefonate me presidentin amerikan Joe Biden, pas së cilës udhëheqësi amerikan tregoi se Netanyahu mund ta pranojë ende idenë. Por qëndrimi kundër i kryeminsitrit izraelit thellojnë ndarjet me SHBA-në.

SHBA beson se një shtet palestinez përkrah Izraelit, i njohur si “zgjidhja me dy shtete” është jetik për stabilitetin afatgjatë. Por Shtëpia e Bardhë pranoi këtë javë se qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit “i shohin qartë gjërat ndryshe”.

Në bisedën e tij me Presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti politikën e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi Gazën për të siguruar që Gaza të mos përbëjë më një kërcënim për Izraelin, një kërkesë që bie ndesh me kërkesën për sovranitet palestinez.

Numri i të vdekurve palestinezë në Gaza ka arritur në 25,000. Forcat izraelite vijojnë sulmet në Gazën jugore dhe janë vënë në kërkim të zyrtarëve të lartë të Hamasit që ata besojnë se fshihen në Khan Younis, qyteti i dytë më i madh i Rripit, ndërsa kanë bastisur një tunel në Khan Younis që ishte përdorur për të mbajtur pengjet.

Mijëra protestues, duke përfshirë të afërmit e atyre që ende janë të zhdukur, u mblodhën në Tel Aviv, duke i kërkuar Netanyahut të vendosë armëpushim për të lejuar pengjet të kthehen në shtëpi.

Nga ana tjetër përshkallëzimi i konfliktit në fronte të tjera po intensifikohet. Irani është zotuar të kundërpërgjigjet ndaj sulmit raketor të së shtunës në Damask të Sirisë ku mbetën të vrarë pesë oficerë të Gardës Revolucionare Islamike iraniane dhe për të cilën bën përgjegjës Izraelin.

Presidenti iranian Ibrahim Raisi tha në një deklaratë të publikuar në faqen e zyrës së tij se vrasja ishte “një veprim terrorist si dhe një shkelje flagrante të hapësirës ajrore siriane”, duke shtuar se sulmet e Izraelit “nuk do të mbeten pa përgjigje nga Irani”.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share