Netanyahu merr ftesë për t’iu drejtuar Kongresit Amerikan

Udhëheqësit e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së ftuan të premten kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të folur në një takim të përbashkët të Kongresit.

Letra që ftonte Netanyahun u nënshkrua nga kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell dhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.

“Për të ndërtuar mbi marrëdhëniet tona të qëndrueshme dhe për të theksuar solidaritetin e Amerikës me Izraelin, ju ftojmë të ndani vizionin e qeverisë izraelite për mbrojtjen e demokracisë, luftimin e terrorit dhe vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon”, thuhej në letër.

Se kur do të mbahet ky fjalim ende nuk është propozuar një datë.

Johnson kishte thënë se lideri izraelit do të fliste së shpejti në një takim të përbashkët të Kongresit, mes tensioneve të rritura me administratën e presidentit Joe Biden lidhur me trajtimin e luftës në Gaza nga Netanyahu.

Kryetari republikan kishte thënë se do të ftonte Netanyahun nëse liderët demokratë të Kongresit e nënshkruan apo jo letrën.

Johnson ishte një nga shumë republikanët që e kishte kritikuar Bidenin kur ai tha se do të ndalonte dërgimin e bombave në Izrael nëse ky shtet do të ndërmerrte një pushtim në shkallë të gjerë të Rafahut, një qytet në jug të Gazës, ku mijëra palestinezë kishin ikur gjatë luftës.

Miliarda dollarë armatime të prodhuara nga ShBA mbeten në tubacion për t’u dërguar në Izrael.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share