“Ndaloni gjuetinë e shtrigave ndaj djalit tim! Spanja ‘nderon’ kampionet e botës”
E kishte paralajmëruar prej kohësh dhe në fakt ashtu ndodhi. Mamaja e Presidentit të Federatës spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales është ngujuar në ambientet e kishës Divina Pastora në qytetin e Motril në Spanjë duke vijuar kështu grevën e urisë.
Nga qyteti i lindjes së Presidentit të futbollit spanjoll ajo kërkon që të ndalojë “gjuetia çnjerëzore, gjakatare e shtrigave” që po i nënshtrohet djali i saj 46-vjeçar, i shënjestruar nga të gjithë si fajtor pas puthjes në buzë të lojtares spanjolle, Jenni Hermoso.
Skandali i ndodhur në ceremoninë e dorëzimit të Kupës së Botës në duart e vajzave spanjolle ka ndarë në dysh opinionin publik. Ndërkaq, pjesëtaret e kombëtares iberike u nderuan me çmime simbolike në qytetet e tyre të lindjes. Kapitenia, Ivana Andres, autorja e golit kundër Anglisë, Olga Carmona dhe Irene Guerrero morën një trofe individual, ndërsa tifozët dhe zyrtarët e lartë të qyteteve shmangën skandalin që lidhej me episodin e shkaktuar nga Rubiales.
Pavarësisht kësaj, 46-vjeçari ka shmangur dorëheqjen nga posti që mban prej vitit 2018, ndërsa është i sanksionuar për 90 ditë, masë kjo për të lejuar drejtësinë që të kryer hetime në lidhje me ngjarjen. Kreu i futbollit spanjoll dyshohet se ka kryer një akt agresioni seksual dhe rrezikon deri në 15 vite pezullim nga funksionet publike.
Klan News