Spitali i Prilepit sot do të jetë nën vëzhgim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor pas rastit të vdekjes së foshnjës së porsalindur. Foshnja e cila jetoi vetëm 10 ditë ka lindur në fund të tetorit në maternitetin e Spitalit të Përgjithshëm – Prilep, ndërsa ka ndërruar jetë dy ditë më parë në gjendje të rëndë nga sepsa, në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup.
“Me Inspektoratin sanitar sot inicova kontroll në Prilep, gjithashtu një komision prej ekspertëve do të shkoj atje. Nuk do të flasim asgjë përmendësh, por kur do të vijnë raportet në tëresi prej inspekcionit edhe ekspertëve, atëherë do të shpërndajmë menjëherë media të nderuara në mënyrë transparente”, tha Fatmir Mexhiti.
Nëna e foshnjës Lile Petroviq, në rrjetet sociale përshkruan hollësisht vështirësitë që ka kaluar dhe fajëson personelin mjekësor në Spitalin e Prilepit. Ajo thotë se foshnja ka lindur më 27 tetor pa asnjë problem shëndetësor. Por pas dy ditësh i thanë se ka verdhëz dhe se do t’i nënshtrohej fototerapisë dhe më pas nëna dhe foshnja do të liroheshin në shtëpi.
“Pas 6 orësh isha gati për t’u larguar, erdhi infermierja dhe më tha që foshnja do të rrezatohet edhe për 6 orë. Në mbrëmje më sollën fëmijën vetëm për gjysmë ore dhe e morën. Ajo që ndodhi atë natë do të mbetet gjithmonë një mister. Çfarë bënë motrat që mbetën pa mjek në të gjithë repartin? Në orën 5:30 të mëngjesit erdhi doktoresha dhe kur pa se çfarë po ndodhte me foshnjën, filloi t’i bërtiste se çfarë i kishin bërë. Ajo ka bërë edhe një analizë gjaku, e cila nuk ka treguar shenja të infektimit”, tha Lile Petrovoq, nëna e foshnjës.
Nga Spitali në Prilep kanë konfirmuar se i porsalinduri ka lindur shëndoshë e mirë, por më pas për shkak të informacioneve për infeksion bakterial dhe vaginal tek nëna, nga i porsalinduri është marrë gjak, i cili ende ishte normal. Por gjendja është përkeqësuar dhe për këtë foshnja është transportuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup
Nga Klinika për sëmundje të fëmijëve në Shkup thonë se foshnja u është sjellë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, është pranuar në reanimacion, më pas është intubuar dhe veshkat kanë dështuar. Nëna pyet pse mjekët e spitalit të Prilepit kanë pritur tri ditë që të përkeqësohet gjendja e foshnjës së shëndoshë dhe akuzon për gabim mjekësor.