VMRO-DPMNE dhe VLEN nëpër shtabet e tyre të bëjnë analizat për përmbajtjen e bisedimeve. Kjo ka qenë arsyeja që gjatë ditës së sotme nuk ka patur negociata në nivel të grupeve të punës.
Bisedimet e sotme në nivel të grupeve të punës u paralajmëruan gjatë fundjavës, pas takimit të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN.
Mediat njoftojnë se pritet të emërohen përfaqësuesit e dy partive që do të jenë pjesë e grupeve të punës, fillimisht për të harmonizuar programet zgjedhore, kurse më pas për marrëveshjen përfundimtare për formimin e Qeverisë.
Përshtypjet e para janë se negociatat nuk duken të komplikuara. Pavarësisht se koalicioni VLEN zotohet për të shpejtuar eurointegrimet, lidhur me inaugurimin e Presidentes Siljanovska nuk ishin adresuar kritika të ashpra. U potencua se me rëndësi është që Siljanovska e ka nënshkruar deklaratën solemne me emrin kushtetues të vendit.
“Ne i kuptojmë ndjenjat e popullit maqedonas, por nuk ka shans të dytë për një përshtypje të parë për kreun e ri të shtetit. Presidenti i Republikës duhet të jetë shembull i respektimit të Kushtetutës, sidomos kur bëhet fjalë për një profesoreshë të së Drejtës Kushtetuese. Maqedonia e Veriut është anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s dhe negociatat me BE-në kanë filluar, por ndryshimet kushtetuese na presin përpara për të vazhduar në rrugën evropiane. Ne nuk kemi nevojë për hapjen e plagëve të vjetra.”, thonë nga VLEN.
Ndryshe pas takimit të së shtunës u tha se bashkëpunimi i ardhshëm VMRO – VLEN do të bazohet sipas tri postulateve – eurointegrimet, zhvillimi i përshpejtuar ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit si dhe sundimi i së drejtës./tvklan.mk