Negociatat për Qeverinë e re/ Mickoski: VMRO do të ketë 61 deputetë – kemi sinjale nga deputetë tjerë?!

Mbajti takimin me kryesinë partiake ku u definuan konturat e kornizës për negociata për Qeverinë e re, mblodhi liderët e 21 partive të koalicionit “Maqedonia e Veriut” kurse nga e hëna, lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, paralajmëron bisedime me partitë e opozitës që do të kenë pika të përbashkëta me VMRO-në.

Thotë se shansi do t`i jepet secilës parti, por duket se fillimisht preferon koalicionin e opozitës shqiptare.

“Me rezultatin e VLEN-it prej 107.000 votave, vlerësoj se ata konfirmuan kredibilitetin e tyre dhe ata mund të jenë partner kredibil në qeverinë e ardhshme që do të udhëhiqet nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe unë si mandatar i ardhshëm”, tha Hristijan Mickoski.

Sipas shifrave kjo I bie se koalicioni VMRO – VLEN do të kishte 71 deputetë, por Mickoski pretendon se VMRO-DPMNE-ja vet do t`i ketë 61 deputetë.

Sipas tij, pritet që në këtë parti të aderojnë edhe deputetë tjerë, duke mos saktësuar nëse bëhet fjalë për deputetë të LSDM-së apo Frontit Evropian.

“Vlerësoj se deri më 28 maj ka mundësi të konsolidojmë 61 deputetë. Ka sinjale nga individë dhe presim që të të konsolidohet kjo shifër dhe bashkë me VLEN të kemi 74-75 deputetë”, tha Mickoski.

Nga koalicioni VLEN shprehen se nga e hëna do të nisin bisedimet me VMRO-DPMNE-në. Por, kjo nuk do të thotë se në prapavijë nuk zhvillohen takime me zyrtarë të partisë fituese.

“Rrugës për në Shkup” – është mbishkrimi në këtë fotografi të profilit në Facebook të analistit Arsim Sinani, ku janë tagguar Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Arben Taravari dhe Bekim Qoku.

Këto lëvizje lënë të kuptojnë që qysh pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit dhe publikimit të rezultateve, tashmë kanë filluar ecejaket në relacionin Shkup – Tetovë – Shkup.

Kjo u konfirmua edhe nga Nënkryetari I VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski, I cili nuk fshehu se tashmë kanë nis kontaktet e para VMRO-VLEN.

Por, a do të ketë partner të tretë në qeverinë e ardhshme?

Lideri I Lëvizjes “ZNAM”, Maksim Dimitrievski, thuajse u vetofrua për të qenë pjesë e Qeverisë së re.

Ai tha se do të bëhet pjesë e Qeverisë, vetëm nëse BDI nuk bëhet pjesë e saj, kurse nuk ka asgjë kundër koalicionit VLEN, sic tha, me të cilin bashkëpunon në nivel lokal në Kumanovë.

Nga ana tjetër, dyert në Reçicë të Vogël janë hermetikisht të mbyllura.

Nëpër rrjete sociale shihen vetëm zyrtarë të lartë të BDI-së të cilët thonë se Fronti Evropian është fitues absolut në kampin shqiptar.

Një mesazh të tillë në Facebook dje dërgoi edhe lideri I BDI-së Ali Ahmeti.

“Fitorja dhe legjitimiteti i plotë dhe i vërtetuar me mbi 31.000 votat e juaja diferencë dhe 19 mandate deputetësh i takon vetëm Frontit Europian! Bashkë drejt misioneve të rradhës!” – shkruan Ali Ahmeti.

VMRO-DPMNE vendosi kornizën e ndërtimit të potencialit të koalicioneve me partitë tjera.

Në këtë kornizë ka tri postulate; shtet i fuqishëm ekonomik, front kundër krimit dhe korrupsionit dhe realizimi i interesit strategjik për integrime evropiane.

Sipas afateve të Kushtetutës, Qeveria më së voni duhet të propozohet deri në fund të qershorit dhe duhet të votohet nga shumica prej 61 nga gjithsejt 120 deputetët e Kuvendit./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share