Lajçak mbetet optimist: Duhen takime shtesë
Hap të rëndësishëm e ka quajtur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takimin ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe ku është diskutuar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb në Kosovë. Megjithatë ai shkruan në platformën X se “shumë pyetje politike” mbeten ende pa përgjigje duke i cilësuar të nevojshme takimet shtesë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se në takim i kanë informuar përfaqësuesit serbë për mundësitë që ofron Rregullorja e re e Bankës për transferim të mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë. Sipas tij, nuk është pritur të negociohet, por të argumentohet zgjidhja.
Petar Petkoviç, kryenegociator i Serbisë vendimin e ka quajtur politik.
“Ne si palë e përgjegjshme kemi insistuar që vendimet e dyshimta të eliminohen. Ajo çfarë po bën Kurti është të shuajë institucionet e Serbisë në Kosovë, të cilat duhet të jenë themel i Asociacionit”, tha ai.
Udhëheqësit e qeverisë së Kosovës nuk ishin pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.
Tv Klan