Negociata të reja për lirimin e pengjeve nga Hamasi

Tre ditë armëpushim në këmbim të lirimit të 12 pengjeve, Izraeli tha se Hamasi ‘humbi kontrollin’ e veriut të enklavës

Eksod i ri i palestinezëve nga Gaza Veriore. Ofensiva tokësore e Izraelit në skajet e kampit të refugjatëve al-Shati i detyroi banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre të Mërkurën duke mbajtur në duar vetëm disa sende personale.

Mjekë dhe banorë të Gazës sollën në spital trupat e palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në qytetin kryesor jugor të Gazës, Khan Younis. Një burrë që mbante trupin e mbuluar të një fëmije të vogël tha se i përkiste një vajze 12-vjeçare.

“Ne ishim ulur në paqe kur papritmas shtëpia u hodh në erë, të gjithë i bllokuan, tre shtëpi pranë njëra-tjetrës, pa asnjë paralajmërim.”

Ky burrë thotë se e nxorri gruan e të vëllait nga rrënojat ndërsa 40 të afërm të tij u bllokuan pas një sulmi ajror izraelit në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës. Izraeli ka goditur Gazën nga ajri dhe trupa ndodhen tani në qendrën urbane më të populluar të enklavës.

“Po, në shtëpi ishin 40 veta. Fëmijët, nëna, babai, vëllai dhe fëmijët e tij. Zoti na dhëntë paqe. Janë gjallë dhe po kërkojnë ndihmë.”

Mediat palestineze raportuan për përleshje midis militantëve të Hamasit dhe forcave izraelite pranë kampit të refugjatëve al-Shati në qytetin e Gazës. Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, tha se luftëtarët shkatërruan një tank izraelit.

Ushtria izraelite tha se ‘Hamasi ka humbur kontrollin’ e Gazës Veriore. Ofensiva izraelite që vazhdon me më shumë forcë, ka sjellë shkatërrim të madh ndërsa gjendja humanitare po keqësohet çdo ditë.

Në frontin diplomatik, janë duke u zhvilluar negociata për lirimin e dhjetëra pengjeve, duke përfshirë gjashtë amerikanë, në këmbim të një armëpushimi treditor në Rripin e Gazës, tha të Mërkurën një burim pranë Hamasit. Kjo është dhe një kërkesë e drejtpërdrejtë e presidentit Biden drejtuar kryeministrit Netanyahu.

“Bisedimet po sillen rreth lirimit të 12 pengjeve, gjysma e tyre amerikanë, në këmbim të një pushimi humanitar treditore, për t’i mundësuar Hamasit të lirojë pengjet dhe Egjiptit për të ofruar ndihma humanitare,” tha burimi, i cili shtoi se Tel Avivi nuk bie dakord me periudhën e armëpushimit, ndërsa “Katari po pret një përgjigje izraelite”.

Edhe ministrat e Jashtëm të G7-s lëshuan të Mërkurën një “mesazh të përbashkët” mbi luftën Izrael-Hamas dhe bënë thirrje për një pushim humanitar.

Këtu në parlamentin e Izraelit teksa nderohen rreth 240 pengjet që besohet se mbahen nga Hamasi.

E ndërsa negociatat vijojnë ngadalë, sulmet ajrore izraelite shtohen. Në Rripin e Gazës nga bombardimet u vra një prodhues armësh i Hamasit dhe disa luftëtarë, tha ushtria izraelite.

Shtylla të dendura tymi u panë në të gjithë horizontin e Gazës nga Izraeli Jugor. Forcat tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës synuan të Mërkurën të lokalizojnë dhe çaktivizojnë rrjetin e gjerë të tuneleve të militantëve të Hamasit nën enklavë, faza tjetër në një ofensivë izraelite që ka vrarë mijëra palestinezë. Tanket izraelite kanë hasur në rezistencë të madhe nga luftëtarët e Hamasit.

Forcat izraelite gjuajtën me artileri pranë kufirit verior të vendit me Libanin. Këto pamje që vijnë nga fronti tregojnë një automjet të blinduar duke manovruar përgjatë një rruge pranë kufirit midis dy vendeve. Ushtria izraelite tha se po godet objektiva të grupit militant Hezbollah në Liban, në përgjigje të një breshëri të madhe raketash të lëshuara ndaj qyteteve veriore të Izraelit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share