Ura hekurdhurore që lidh Finlandën me Suedinë po modernizohet për të shmangur sulme të mundshme nga Kremlini
Lart mbi një urë hekurudhore që përshkon një lumë pak jashtë Rrethit Arktik, punëtorët finlandezë vijojnë punën për të modernizuar urën që kalon përgjatë vijës bregdetare të Atlantikut në Norvegji me kufirin me Rusinë.
Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, kjo ndryshoi. Tani Finlanda është pjesë e NATO-s dhe Suedia shpreson të anëtarësohet së shpejti. Ndërsa aleanca riformëson strategjinë e saj në përgjigje të fushatës së Rusisë, qasja në këto territore të reja dhe infrastruktura e tyre hap rrugë për aleatët për të vëzhguar dhe kontrolluar Moskën në rast se sulmon në mënyrë të paprecedentë Evropën Veriperëndimore.
“Në thelb, e vetmja rrugë kryesore për furnizimin tonë është përmes detit. Dhe unë mendoj se rusët mund të ndërpresin lehtësisht transportin e mallrave nga deti. Pra, në thelb, kjo rrugë veriore hekurudhore është e vetmja rrugë e aksesueshme pas kësaj.”
Finlanda mbështetet shumë në mallrat detare dhe për të gjitha furnizimet e saj, të dhënat doganore tregojnë se pothuajse 96% e tregtisë së saj të jashtme kryhet në të gjithë Balltikun.
Nëse do të kishte një konflikt me Rusinë në zonën e Detit Baltik ku Rusia ka kapacitete të rëndësishme ushtarake në Shën Petersburg dhe Kaliningrad, korsia e anijeve që NATO përdorte për atë stërvitje do të ishte e cënueshme.
Lidhja hekurudhore lindje-perëndim përgjatë veriut të lartë do të hapë një alternativë, e cila mund të jetë vendimtare. Por edhe ky rrezik mund të zvogëlohet kur Suedia të anëtarësohet në NATO.
“Ne kemi nevojë për elektrifikim nga Kemi në Haparanda. Dhe kjo është pjesa e munguar, milja e fundit e elektrifikimit që duhet tani, dhe tani është në ndërtim e sipër. Dhe gjithashtu disa ura duhet të bëhen më të forta që kjo lokomotiva e re dhe ngarkesa të mund të kalojnë nëpër këtë urë që të çon në kufi.”
Kontributi i Suedisë deri në vitin 2028 do të përfshijë një gjeneratë të re nëndetësesh në Detin Baltik. Duke u përpjekur për t’u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedia shpreson se nëndetëset e saj do t’i japin aleancës ushtarake një avantazh strategjik në Detin Baltik.
HMS Gotland është një nga tre nëndetëset që operohet nga marina suedeze dhe është ankoruar në, Karlskrona. Komandanti i Marinës Suedese kapiteni Fredrik Linden shprehet se kjo flotë nëdetësesh ka teknologjinë, njohuritë dhe përvojën e fundit të operimit në Detin Baltik.
“Fuqia e këtyre nëndetëseve ka qenë e pranishme këtu për 32 vjet. Gjithashtu gjatë gjithë asaj kohe, ne kemi trajnuar ekuipazhin për të përshtatur me teknologjinë e fundit.”
Në vitin 2021, Suedia nënshkroi marrëveshje për të ndërtuar gjeneratën e ardhshme të anijeve dhe do të shtojë dy nëndetëse të tjera “Blekinge” në flotën e saj. Suedia zvogëloi forcat e saj të armatosura pas Luftës së Ftohtë.
“Gjatë viteve 1990, kur mbaroi Lufta e Ftohtë, Suedia zvogëloi forcat e saj të armatosura në të gjitha shërbimet Forcat Ajrore, ushtrinë dhe marinën. Marina u godit rëndë, si të thuash, dhe vetëm disa anije u mbajtën. Me kalimin e kohës dhe vitet ’90, anijet e vogla të sulmit me raketa u hoqën nga përdorimi dhe u zëvendësuan nga ato që kanë sot – korvetat Visby, që janë ndërtuar këtu në Karlskrona dhe përbëjnë thelbin e flotës sot. Tani është një flotë mjaft e vogël në krahasim me atë që kishim në vitet ’70 ose ’80, por shpresojmë që do përparojmë.”
Suedia synon të shpenzojë 2% të PBB-së së saj për mbrojtjen deri në vitin 2026 për të rritur kapacitetin e saj ushtarak në tokë, det dhe ajër. Vendi synon të dyfishojë numrin e tij të rekrutëve nga rreth 24,000 në 2025, në 50,000 në 2035, sipas shefit të ushtrisë.
“Sigurisht, ne jemi gati, që të stërvitemi me të tjerët. A duhet të jemi një marinë më e madhe? Absolutisht. Ne kemi 2700 kilometra vijë bregdetare. Ne duhet të rritemi. Ne jemi në një periudhë rritjeje tani dhe kjo është ndoshta më shumë për sa i përket kapacitetit sesa aftësive por ne gjithashtu duhet të operojmë së bashku me të tjerët.”
Trupat suedeze kanë vazhduar të ushtrohen me trupa nga vende të tjera ndërkohë dhe kanë organizuar një stërvitje të madhe me forcat ndërkombëtare në pranverë. Linden thotë se do të bëjë një ndryshim të madh në mbrojtjen e infrastrukturës së cenueshme të shtratit të detit.
“Forca e nëndetëseve suedeze si kontribuese në NATO sapo të bëhet anëtare e aleancës do të ishte sigurisht numerike. Deti Baltik, siç thashë, është një zonë me shumë domene. Gjithashtu mund të përshkruhet lehtësisht me atë që ne i quajmë i kufizuar, i kontestuar dhe i ngjeshur. Është një zonë shumë e ngarkuar. Është gjithashtu e kufizuar për sa i përket hapësirës, por ka shumë zona ku mund ta pengojmë kundërshtarin të lëvizë me vullnetin e tij të lirë, kështu që unë do të thosha me pesë nëndetëse mund të kufizosh lehtësisht lëvizjet e kundërshtarit tënd.”
Rruga e Suedisë drejt anëtarësimit në NATO mbetet e bllokuar nga Turqia dhe Hungaria përpara një samiti të korrikut në Vilnius, ku ajo shpreson t’i bashkohet fqinjit nordik Finlandës si një anëtare e plotë e aleancës. Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar i bindi Suedinë dhe Finlandën të heqin dorë nga politikat e vjetra të mos-angazhimit ushtarak.
Turqia vazhdon të bllokojë anëtarësimin suedez duke përmendur shqetësimet e sigurisë. Ankaraja ka thënë se Suedia duhet të shtypë protestat përpara se të marrë një dritë jeshile për t’u bashkuar me NATO-n.
Suedia ka vendosur synimin e saj për t’u bashkuar në samitin e aleancës më 11-12 Korrik dhe ndërsa ka mbështetje të fortë nga anëtarët e tjerë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe priten më shumë bisedime me Turqinë, ka pasur pak shenja të qarta të një përparimi.
Stokholmi ka kritikuar Turqinë për abuzime të të drejtave të njeriut dhe mbi standardet demokratike, duke i zemëruar politikanët në Ankara. Turqia thotë se Suedia strehon anëtarë të atyre që i konsideron grupe terroriste – një akuzë që Suedia e mohon dhe ka kërkuar ekstradimin e tyre si një hap drejt ratifikimit të anëtarësimit suedez.Demonstratat e mbajtura në Suedi dhe djegia e Kuranit kanë ngritur gjithashtu zemërimin turk.
Hungaria, nga ana tjetër ka deklaruar se Suedia ka pasur një qëndrim armiqësor ndaj Budapestit prej vitesh. Ajo është e zemëruar për kritikat suedeze ndaj kryeministrit Viktor Orban mbi erozionin e perceptuar të shtetit ligjor. Ndryshe nga Turqia, Hungaria nuk ka një listë kërkesash, por thotë se ankesat duhet të adresohen përpara se të mund të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO.
Të dy zhvillimet tregojnë se si aleanca e zgjeruar do të riformojë hartën e sigurisë së Evropës. Rajoni nga Balltiku në jug deri në veriun e lartë mund të bëhet pothuajse një zonë operative e integruar për NATO-n.
Kjo u bë e qartë në Maj, kur Finlanda priti stërvitjen e saj të parë ushtarake Arktik si një anëtare e NATO-s në një nga terrenet më të mëdha të stërvitjes së artilerisë në Evropë, 25 km mbi Rrethin Arktik.
“Për NATO-n është shumë e rëndësishme që tani të kemi të gjithë pjesën veriore, ta shohim atë si një pjesë të tërë dhe jo me ish- vendet e NATO-s, Norvegjinë dhe Danimarkën, tani ne kemi një bllok të tërë dhe mendojmë për plane të mundshme mbrojtëse, është për ne një hap i madh përpara.”
“Mund t’ju them si profesionist ushtarak, aftësia për të lëvizur pajisje, ushtarë dhe municione dhe furnizime në mënyrë të shpejtë, të organizuar dhe efikase është me të vërtetë e rëndësishme. Kjo ju jep shumë opsione se si i përdorni forcat tuaja. Pra, çdo infrastrukturë që mund të mundësojë lëvizjen e shpejtë të forcave, qofshin ato porte, aeroporte, hekurudha, autostrada, të gjitha këto gjëra janë të rëndësishme për luftë.”
Qyteti i afërt i Rovaniemit, i njohur për turistët si shtëpia e Santa Claus, është gjithashtu baza e forcave ajrore të Arktikut të Finlandës dhe do të shërbente si një qendër ushtarake për rajonin në rast konflikti.
Finlanda po investon rreth 150 milionë Euro për të rinovuar bazën ushtarake që të jetë në gjendje të presë gjysmën e një flote të re prej 64 avionësh luftarakë F-35, që do të mbërrijnë nga viti 2026.
Klan News