Në UT u prezantuan bursat e programit Chevening të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar

Përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, sot në Universitetin e Tetovës prezantuan programin e bursave Chevening. Chevening është programi global i bursave i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, i financuar nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit dhe e Zhvillimit (FCDO) dhe organizata bashkëpunuese. Bursat mbështesin studimin në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar – kryesisht një vit mësimi i programit master – për individët që demonstrojnë potencial për t’u bërë udhëheqës të ardhshëm, vendimmarrës dhe krijues opinionesh.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, Cvetanka Mihajlovska-Misheva, në prezantimin e saj lidhur më këto bursa njoftoi se studiuesit e mbështetur nga programi Chevening vijnë nga mbi 160 vende dhe territore në mbarë botën, dhe gjatë pesë viteve të fundit janë dhënë afro 10.000 bursa. Ka mbi 50.000 Chevening Alumni në gjithë botën, që përbëjnë një rrjet global me ndikim dhe vlerësim të lartë.

Ndërsa Meriton Asllani nga Asociacioni Chevening tregoi eksperiencën e tij, si fitues i kësaj burse, dhe i inkurajoi studentët që të aplikojnë për një bursë të tillë, sepse është një mundësi e jashtëzakonshme për të fituar eksperiencë të re në universitetet më prestigjioze të Britanisë së Madhe.

Bursat Chevening u ndahen individëve të ç’do drejtimi, të cilët dëshmojnë përkushtim dhe aftësi për të krijuar ndryshime pozitive, dhe mund të tregojnë se me diplomë masteri të fituar në MB ta arrijnë këtë. Bursa ofron mbështetje të plotë financiare për studiuesit në programet e studimeve master, të shfaqura në cilindo universitet në Mbretërinë e Bashkuar, njëkohësisht duke përfituar qasje në spektrin e gjerë të përvojave akademike, profesionale dhe kulturore. Aplikimi për bursat Chevening për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar është shpallur më 2 gusht dhe do të përfundojë më 1 nëntor 2022.

Aplikimet duhet të dorëzohen përmes adresës: www.chevening.org/apply

Lexo gjithashtu
Total
0
Share