Në Universitetin e Tetovës, sot u bë përurimi i librit “Nëna e Shpendit të Lirisë” i autorit Fazli Veliu -Daja. Ky libër u dedikohet të gjitha nënave dhe etërve të dëshmorëve shqiptarë – Martirëve të Kombit Shqiptar. Libri në fjalë u përurua në ditëlindjen e Dëshmorit të Atdheut, Skerdilajd Llagami, i njohur si Komandant Shpendi.
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fazli Veliu tha se duke e shënuar ditëlindjen e tij përmes provimit të këtij libri, ne e kurorëzojmë një përpjekje të përbashkët dhe e bëjmë të afërt Tiranën me Tetovën, Kërçovën, Strugën, Elbasanin, ku u nderua gjithandej viseve tona biri i Shqipërisë Skerdilajd Llagami. Ai tha se, duke qenë të tillë, ne mendojmë se, Dëshmorin e Atdheut e kemi kudo, ndërsa, duke iu referuar librit u shpreh se, Nëna që i dedikohet ky libër ishte me shumë virtyte. “Nëna zgjodhi metodën e heshtjes, për të flasin të tjerët, duke filluar nga babai i dëshmorit deri te përmbyllësi i një takimi, tubimi, filmi, nderimi, vlerësimi, homazhi akademie.
Ashtu, ajo dëshmoi respekt ndaj të gjithëve, veçmas ndaj çlirimtarëve, shokëve të djalit të saj. Por nëna e ka pasur shpirtin e goditur, mbase duke mos thënë një fjalë, një oh, e ka dëmtuar zemrën, lukthin, trurin, sytë, si pasojë mori dhembjen, e cila e shtroi në shtrat, sikur djali t’i thotë të pathënat”, u shpreh me këtë rast Kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu – Daja, njëherit autori i librit.
Në promovimin e librit kushtuar Nënës së Skerdilajd Llagamit, komandant Shpendit, të pranishëm ishin edhe komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, komandanti i Brigadës 115, Rafiz Haliti, të cilët evokuan kujtime nga lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ndërsa mikesha e nënës së Shpendit, zonja Lindita nga Tirana, para auditorit e lexoi letrën e motrës së Komandant Shpendit, të titulluar: “Të brishtat kujtime për nënën time të adhurueshme”.
Në emër të familjes Llagami me fjalë përshëndetëse pjesëmarrësve në këtë promovim iu drejtua babai i komandant Shpendit, Bardhyl Llagami. Në këtë promovim, Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ndau mirënjohje për disa personalitete, në shenjë respekti për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj shoqate. /KlanMacedonia/