Në UT u mbajt simpoziumi shkencor: “Maqedonia e pavarur 1991 – 2001”

Në UT u mbajt simpoziumi shkencor “Maqedonia e pavarur 1991 – 2001” “Maqedonia e pavarur 1991 – 2001” ishte tema qendrore e Simpoziumit shkencor që u organizua nga Programi studimor i Historisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës.

Ish-politikanë dhe bartës të funksioneve të ndryshme publike të asaj periudhe, profesorë universiteti, historianë, sociologë, pedagogë e gazetarë, sot në prani të stafit drejtues të Universitetit tonë, studentëve dhe profesorëve debatuan për zhvillimet politike në Maqedoni në dekadën e parë të pluralizmit.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu tha se simpoziumi shkencor organizohet në kuadër të Kongresit të shkencave humane, sociale dhe arteve dhe ka për qëllim nxjerrjen në dritë të shumë ngjarjeve të brishta që kanë ndodhur që nga pavarësia e Maqedonisë e deri në vitin 2001, si dhe rolin e partisë së parë politike të shqiptarëve që ka luajtur në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit kombëtar.

“Prezantuesit e sotëm janë dëshmitarë që me pavarësinë e Maqedonisë u krijua një demokraci e brishtë dhe të gjithë njerëzit akademikë shqiptarë të këtyre trevave morën iniciativën për themelimi ne një partie, e cila në atë kohë nuk ishte vetëm parti politike por ishte lëvizje mbarëpopullore me qëllim të konsolidimit të radhëve të shqiptarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Gjendja ka qenë shumë e rëndë për hir të asaj se nga pala tjetër, respektivisht pala maqedonase, nuk kishin gatishmëri për një gjë të tillë dhe tentonin me çdo kusht të krijojnë një shtet unitar, që fatmirësisht vitet e fundit e kanë kuptuar se Maqedonia mund të ekzistojë me shqiptarët, se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Me që ka pasur jashtëzakonisht shumë trazira atëherë, ndër ngjarjet shumë të rëndësishme, me që jemi në tempullin e dijes, në UT, në vitin 1994 u themelua UT dhe këto bashkëmendimtarë, të cilët sot janë pjesë e panelit atëherë ju kundërvunë palës maqedonase, të cilët themelimin e UT -së e konsideronin si një foshnje e vdekur, kurse këto thoshin se ai fëmijë jo vetëm që ka lindur por edhe do të jetojë, dhe ne sot jemi dëshmitarë se vitin e ardhshëm ky fëmijë, pra
Universiteti i Tetovës shënon vitin jubilar 30-vjetorin e themelimit”, theksoi Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Koordinatori i simpoziumit,  Zeqirja Rexhepi tha se e veçanta e këtij Simpoziumi shkencor është pjesëmarrja e protagonistëve të ngjarjeve të zhvillimeve historike në periudhën 1991-2001. Sipas tij, për t’u plotësuar e tërë tabloja e zhvillimeve historike në periudhën në fjalë, do të duhet të mbahen edhe simpoziume të tjerë, të cilët do t’i plotësojnë boshllëqet e ngjarjeve. “Nga këndvështrimi historik, kundërthëniet politike ndëretnike, në vitet e 90-ta erdhën si rezultat i papërgjegjshmërisë së përfaqësuesve politik maqedonas, gjatë procesit të ngritjes së shtetit të ri. Gjatë këtij procesi, është marrë për bazë vetëm realiteti politik, me ç’rast faktori politik shqiptar në institucionin më të lartë legjislativ, në çdo iniciativë të tij mbivotohej mbi bazë etnike. Zhvillimet politike në Maqedoninë e pavarur, në vitet e 90-ta, krijuan perceptime kundërthënëse, të cilat e ndoqën procesin e ngritjes së shtetit të Maqedonisë. Është për t’u theksuar se, Maqedonia si shtet, në kufijtë e saj politik, gjithnjë mbeti një realitet shumetnik, por bartësit kryesorë e të gjitha proceseve ishin dhe mbetën dy bashkësitë më të mëdha etnike: maqedonasit dhe shqiptarët. Po të kishte pasur shteti të ri, burra shteti, padyshim se Maqedonia e Veriut sot do të ishte krejtësisht ndryshe dhe nuk do të ishte zbrazur nga brezi i ri. Për fat të keq, këta mungonin, prandaj të gjitha zhvillimet si ato politike dhe ato ekonomike, kanë shkruar në kahe të gabuar historike”, potencoi mes tjerash Zeqirja Rexhepi.

Po ashtu, në këtë simpozium i pranishëm ishte edhe Avokati i popullit Naser Ziberi, i cili u fokusua në temën: “Marrëveshja e Ohrit – Marrëveshje e papërfunduar”, kurse gjenerali Gëzim Ostreni e trajtoi temën “Lufta dhe paqja e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ndërsa ish-politikani Muhamed Halili diskutoi për “Planin Frowik-pikënisje në negociatat shqiptaro-maqedonase të vitit 2001”. Veç këtyre, në simpozium u trajtuan edhe tema të tjera, si: -“Padëgjueshmëria qytetare dhe politike”, nga Xheladin Murati; “Decentralizimi fiskal pas ndarjes territoriale të vitit 1996, në Maqedoni”, nga Prof. Dr. Besnik Fetai; “Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni në vitet 90-të”, nga FehariRamadani, “Kriza humanitare e Kosovës dhe reflektimi i saj në Pollog më 1999” nga  Zeqirja Idrizi; “ Demonstrata e 1 Shkurtit 1990 në Tetovë”, nga Ismet Krosi; “Përpjekjet e popullit shqiptar në trevat Lindore për zhvillimin e arsimit të mesëm dhe superior në vitet 90-ta”, nga Nebi Dervishi; “Antishqiptarizmii një ish-komunisti – President”, nga Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi “Zëri i heshtur i gazetarisë shqiptare në Maqedoni 1991-2001”, nga Prof. Dr. Abdylnaser Sinasni;

“Njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Maqedonisë nga Shqipëria” nga Zejni Mazllami; “Kosova në rezolutat ndërkombëtare 1991/93”, nga IsakSherifi dhe “Hapat radikalë në BZHA pas vitit 1998”, nga Zeqir Kadriu.

Në fund të këtij simpoziumi, nga panelistët u konkludua se: Republika e Maqedonisë, që nga deklarata për pavarësi, kushtetuta nuk respektoi realitetin politik, duke kërkuar ndërtimin e një shteti unitar dhe jo konceptin e shtetit qytetar. Kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të plotësoheshin përmes fakultetit ose akademisë pedagogjike por këto kërkesa u plotësuan vetëm me Universitetin e Tetovës. Faktori politik ndërkombëtar i gjetur para një fakti të papritur të shpërbërjes të Jugosllavisë pati ndikim të jashtëzakonshëm në fatet e republikave dhe popujve të  ish Jugosllavisë. Shqiptarët që nga pavarësia deri në vitin 2001 ishin të diskriminuar në të gjitha institucionet shtetërore. Shqiptarët nuk përfituan asgjë nga procesi i privatizimit të pronës shtetërore, decentralizimi fiscal vazhdon të jetë i padrejtë ndaj komunave me shumicë shqiptare. Faktori politik shqiptar luajti një rol historik gjatë krizës humanitare në Kosovë, pavarësisht trysnive. Shtypi shqiptar nuk i plotësoi pritjet e popullatës shqiptare në Maqedoni, si rezultat i ndërhyrjeve politike. Këshilli koordinues i partive politike në ish-Jugosllavi, pavarësisht përpjekjeve nuk dha rezultatet e pritura. Plani Frowik, pavarësisht se ishte jo formal, ai shërbeu si pikënisje për negociatat shqiptare – maqedonase. Lufta politike e faktorit politik shqiptar në prag të fillimeve të luftimeve të vitit 2001 vonoi ndërtimin e një qëndrimi politik të unifikuar. Lufta e armatosur e UÇK-së i realizoi të gjitha objektivat e dala nga komunikata numër 6-të dhe memorandumi. Marrëveshja e Ohrit si një kompromis politik i dalë nga negociatat e vështira e ka bërë atë një proces të papërfunduar, sikur kjo të mos mjaftonte, ajo pësoi ndërhyrje gjatë aprovimit në kuvend.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share