PENDAROVSKI-NEFJU: RMV DO TË VAZHDOJË BASHKËPUNIMIN ME SHBA-të
Maqedonia e Veriut është e gatshme për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-të në përpjekjet për çrrënjosjen e korrupsionit me qëllim të përparimit të demokracisë dhe sundimit të së drejtës – ka thënë Presidenti I Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, gjatë takimit me Koordinatorin Global për Antikorrupsion në Departamentin amerikan të Shtetit, Riçard Nefju, njofton KlanM.
Siç thuhet në komunikatën e presidencës, bashkëbiseduesit kanë këmbyer qëndrime për tema aktuale që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet e vendit për të vendosur sistem parandalimi të korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
Ndryshe, sic percjell KlanM, Ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Ageler, para disa ditëve, bëri të ditur se një ose dy emra së shpejti mund të gjenden në “listën e zezë” amerikane. Sic tha Ageler, në Uashington po shqyrtohen të gjitha mundësitë që një individ të gjendet në disa kategori sanksionesh, kurse procesi I krijimit të këtyre listave është I përhershëm dhe kërkon kohë, pasi Uashingtoni duhet të sigurohet që në listë të mos futet dikush që nuk e meriton.
Autoritetet e vendit, lidhur me paralajmërimet se do të publikohet “lista e zezë” amerikane, sic njofton KlanM, thanë se ajo do të pranohet si e tillë, për shkak se SHBA-të janë partner strategjik I RMV-së.