Të mërkurën pritet vendimi i një gjykate turke lidhur me një çështje kundër kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një figurë opozitare, për të cilin sondazhet sugjerojnë se mund të jetë një sfidues i fuqishëm përballë Presidentit Tajip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Vendimi i gjykatës vjen disa javë pas dënimit të kreut të Partisë Popullore Republikane (CHP) të Stambollt, Canan Kaftancioglu, një arkitekt i rëndësishëm i fitores së kryebashkiakut Imamoglu në vitin 2019.
Analistët politikë dhe ligjvënësit e Partisë Popullore Republikane (CHP) e shohin rastin si përpjekjen e fundit të zotit Erdogan dhe Partisë së tij në pushtet AK, për t’i mbyllur gojën opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të planifikuara të mbahen jo më vonë se qershorin e vitit 2023.
Kritikët thonë se gjykatat turke i nënshtrohen vullnetit të Presidentit Erdogan pas dy dekadash të sundimit të tij gjithnjë e më autoritar. Qeveria i mohon këto pretendime dhe thotë se gjyqësori është i pavarur.
Zoti Imamoglu, i cili është nga radhët e Partisë Popullore Republikane, akuzohet për fyerje të një zyrtari publik gjatë një fjalimi që ai mbajti në lidhje me përsëritjen e zgjedhjeve për kryebashkiak të vitit 2019. Ai i fitoi me rezultat të ngushtë zedhjet e anuluara përballë rivalit të partisë AK. Rezultatet e zgjedhjeve të përsëritura i dhanë zotit Imamoglu një fitore të bindshme.
Në fjalën e tij zoti Imamoglu tha: “Ata që anuluan zgjedhjet e 31 marsit janë të çmendur”.
Zyra e shtypit të bashkisë së Stambollit tha se ai kishte reaguar ndaj ministrit të Brendshëm Suleyman Soylu, i cili tha se e kishte quajtur zoti Imamoglu si budalla. Zyra e shtypit të bashkisë tha se zoti Imamoglu nuk po kritikonte Bordin e Lartë Zgjedhor (YSK), por politikanët që shkaktuan anulimin e zgjedhjeve.
Zyra e shtypit të bashkisë tha këtë javë se gjyqësori po përdorej si mjet: “që përmes një vendimi ta ndalojë politikisht zotin Imamoglu dhe ta eliminojë atë nga zgjedhjet e ardhshme”.
Prokurori i shtetit kërkon që zoti Imamoglu të dënohet me katër vjet e një muaj, sipas njoftimeve nga agjencia shtetërore Anadolu. Një koalicion joformal opozitar ende nuk e ka zgjedhur kandidatin për president.
Shumica e analistëve besojnë se kryetari i partisë CHP Kemal Kilicdaroglu do të marrë emërimin, por zoti Imamoglu është një tjetër pretendent i mundshëm. Disa sondazhe tregojnë se ai e fiton me lehtësi një balotazh kundër zotit Erdogan, popullariteti i të cilit është zbehur mes një serie krizash ekonomike.
Fitorja e zotit Imamoglu në krye të bashkisë shënoi herën e parë në 25 vjet që Partia AK e zotit Erdogan dhe paraardhësi i saj islamik i humbën zgjedhjet në qytetin më të madh të Turqisë./VOA