Në përleshjet me ushtarët izraelitë në qytetin e okupuar të Nablusit në Bregun Perëndimor janë vrarë 11 palestinezë, duke përfshirë të paktën katër kryengritës të armatosur dhe katër civilë, njoftuan agjencitë e huaja, duke cituar raportet e shërbimeve emergjente. Më shumë se 100 persona u plagosën.
Ushtria izraelite përmes kumtesës e konfirmoi operacionin e djeshëm në Nablus, duke thënë se ushtarët e saj u sulmuan ndërsa përpiqeshin të arrestonin kryengritësit të dyshuar për komplotimin e sulmeve të ardhshme. Nuk ka pasur viktima në mesin e personelit ushtarak izraelit, thuhet në kumtesën.
Grupi palestinez “Xhihadi Islamik” tha se ushtarët izraelitë rrethuan dy nga komandantët e tij në një shtëpi në Nablus, duke shkaktuar një përleshje të cilës iu bashkuan edhe militantë të tjerë palestinezë.
Sipas burimeve palestineze, dy komandantët e “Xhihadit Islamik” u vranë së bashku me persona të tjerë të armatosur. Mes viktimave janë katër civilë.
Situata e sigurisë në Izrael dhe në territoret palestineze vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar prej javësh.