Shkup, 6 maj 2024 (MIA) – Dita e fundit e fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve të shtata presidenciale dhe të njëmbëdhjeta parlamentare të 8 majit. Fushata për zgjedhjet presidenciale filloi menjëherë pas rrethit të parë të zgjedhjeve, përderisa fushata njëzetë ditëshe për zgjedhjet parlamentare më 18 prill. Në mesnatë fillon heshtja para zgjedhjeve, e cila përfundon me mbylljen e vendvotimeve më 8 maj në orën 19.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale votuesit do të mund të përcaktohen për Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE e cila në rrethin e parë të zgjedhjeve më 24 prill fitoi 363. 085 vota, dhe Stevo Pendarovski, i cili fitoi 180.499 vota.
Në zgjedhjet parlamentare, votuesit do të mund të zgjedhin një nga 17 listat e kandidatëve. Lista të kandidatëve për deputetë ka Koalicioni për të ardhme evropiane i udhëhequr nga LSDM, Koalicioni “Maqedonia juaj” i VMRO-DPMNE, Koalicioni Guximshëm për Maqedoninë i udhëhequr nga GROM, Koalicioni Fronti Evropian i BDI-së, partia politike E Majta, Koalicioni nga blloku opozitar shqiptar “VLEN”, partia politike Lëvizja “ZNAM – Për Maqedoninë tonë”, Maqedonia e Bashkuar, Alternativa e Re Shkup, AVAJA, Lëvizja Qytetare Evropiane, Epoka e Tretë e Maqedonisë/Listat e Pavarura Maqedonase – Sovranët, Partia juaj, Rodina Maqedonia, E djathta, Demokratët Shkup dhe Partia e Punëtorëve. Vendi është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, ndërsa disa koalicione dhe parti kanë lista vetëm për disa njësi zgjedhore.
Më 8 maj, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, përderisa në zgjedhjet parlamentare 1.815.350 votues. Dallimi në vota është 1.033, në përgjithësi për shkak të qytetarëve që arrijnë moshën madhore.
Votohet në 3480 vendvotime, ndërsa votuesit gjatë ditës do të munden vetëm një herë ta vizitojnë vendvotimin dhe të votojnë. Identifikimi i votuesve do të bëhet me të a.q. aparate fingerprint.
Nesër gjegjësisht një ditë para zgjedhjeve të parët votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit, personat në shtëpitë e të moshuarve, dhe të regjistruarit nga diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale.
Edhe pse fushata dhe përgatitjet për zgjedhjet korrespondoi me festat e Pashkëve, KSHZ me kohë e dorëzoi materialin e paklasifikuar dhe të klasifikuar në komisionet komunale zgjedhore.
Koalicionet dhe partitë sot do t’i mbajnë tubimet e fundit. Zyrtarisht është paralajmëruar tubimi përmbyllës i Koalicionit “VLEN” në Tetovë, tubimi i partisë E majta në Shkup, tubimet e VMRO-DPMNE-së në Krivogashtan, Krushevë dhe Prilep, si dhe konferenca për media të Frontit Evropian dhe ZNAM