Në Kosovë nesër nis regjistrimi i popullsisë

Një ditë para fillimit të regjistrimit të popullsisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka lëshuar një sqarim për media në të cilën theksohet rëndësia e këtij projekti.

Në njoftim është thënë se regjistrimi i popullsisë nuk është vetëm një numërim i popullsisë, por është një përpjekje gjithëpërfshirëse që paraqet një pamje të detajuar se kush jemi, ku qëndrojmë dhe ku mund të shkojmë.

ASK bënë me dije se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

“Pjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë nuk është vetëm një detyrë qytetare, si akt i fuqishëm përfaqësimi, por është edhe obligim ligjor. Duke u siguruar që ju dhe familja juaj të numërohen, ju shprehni praninë tuaj dhe kontribuoni në formësimin e së ardhmes sonë. Dua t’ju siguroj të gjithëve se procesi i regjistrimit të popullsisë është projektuar me respektin maksimal për privatësinë dhe konfidencialitetin tuaj. Informacioni i mbledhur përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore, duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Është një mundësi për t’u dëgjuar, për të kërkuar hapësirën tuaj dhe për të kontribuar në të ardhmen tonë kolektive. Le ta përqafojmë këtë mundësi, thuhet tutje në njoftim.

ASK shpreh mirënjohje për angazhimin e stafit prej mbi 5.000 persona dhe të qytetarëve për një bashkëpunim në një moment kyç, ku çdo person ka rëndësi.

“Përfshirja juaj në regjistrimin e popullsisë është një hap drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të barabartë për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Nesër (më 5 prill), nis regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024) dhe do të vazhdojë deri më 17 maj 2024.

ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share