Morinë, Kukës Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Bernit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Zvicrës, shtetasi kosovar, i kërkuar ndërkombëtarisht M. T., 56 vjeç, rezident në Tiranë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 56-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berni, pasi autoritetet gjyqësore të Zvicrës i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit” dhe “Pastrimi i parave”, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Zvicrës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Zvicër, vijon procedurat për ekstradimin e 56-vjeçarit.