Në Francë vihen në punë reaktorë të tjerë bërthamorë

Në Francë, 40 nga 56 reaktorë bërthamorë janë lidhur sërish me rrjetin. Siç tregohet nga operatori EDF, në shërbim së fundmi janë vënë sërish tre reaktorë të tjerë.

Për shkak të problemeve teknike dhe punimeve të mirëmbajtjes, prodhimi i energjisë elektrike në Francë është prej muajsh në nivel historik të ulët. Qeveria në Paris u bën thirrje rregullisht familjeve dhe bizneseve të kursejnë energji elektrike. EDF vlerëson se konsumi ra me rreth dhjetë për qind në nëntor krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kryesisht për shkak të industrisë. Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, disa kompani kanë ulur prodhimin e tyre.

Ndërprerje e energjisë në Paris: 125.000 klientë të prekur

Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka ndodhur në kryeqytetin e Francës, Paris. Siç raportojnë disa agjenci lajmesh u prekën 125.000 klientë. Për shumicën e shtëpive, furnizimi me energji elektrike u rivendos para mesnatës. Operatorët e sistemit energjetik thonë se shkaku i ndërprerjes ishte një problem me një transformator.

Autoritetet franceze po përgatiten për ndërprerje të tjera të energjisë elektrike prej disa orësh në dimër. Për këtë qëllim bëhet një simulim kompjuterik në prefektura. Një shtab i krizës që bashkon disa ministri po punon aktualisht mbi një hipotezë prej gjashtë deri në dhjetë ndërprerje të energjisë elektrike në dimër. Ato do të zgjasin maksimumi dy orë dhe do të preknin deri në gjashtë milionë njerëz në të njëjtën kohë. Spitalet, pacientët që varen nga pajisjet elektrike shtëpiake, stacionet e zjarrfikësve, policia dhe vende të ndryshme industriale nuk do të kishin ndërprerje. Presidenti Macron thekson se bëhet fjalë për përgatitjen për situata emergjente. “Unë nuk besoj në skenarë frikësues,” tha ai.

Importe të energjisë elektrike veçanërisht nga Gjermania

Për herë të parë në dekada, Franca po importon më shumë energji elektrike këtë vit sesa eksporton. Energjia elektrike vjen veçanërisht nga Gjermania, e cila nga ana e saj ka blerë gaz direkt nga Franca për herë të parë që nga tetori. Me reaktorët bërthamorë që janë aktualisht në funksionim, fuqia është 39 gigavat, të instaluar janë 61 gigavat. Gjatë verës, u mbyllën njëkohësisht deri në 32 reaktorë bërthamorë.

Reduktimi i prodhimit të energjisë elektrike në Francë është shqetësues edhe për landin federal gjerman të Baden-Württemberg-ut. Sipas një dokumenti konfidencial të Ministrisë së Mjedisit në Shtutgart, nuk duhet të përjashtohen plotësisht ndërprerjet edhe në Baden-Württemberg, raporton e përditshmja “Bild”. Këto do të ishin “prerje të përsëritura” të cilat do të zgjasnin rreth një orë e gjysmë, specifikon dokumenti./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share