“Ne jemi për Evropë, por si shqiptarë e jo si përqindje”. Kështu u shpreh Bilall Kasami i Lëvizjes Besa në fjalimin e tij para tetovarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në koncertin e organizuar për këtë të fundit, përcjell KlanM.
Kasami edhe njëherë kundërshtoi projektin “Ballkani i hapur” duke i bërë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga ky projekt që sipas tij, favorizon Serbinë dhe shmang Kosovën.
“Si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri, askush nuk e konsteston orientimin tonë drejt BE-së. Dallimet tona gjenden vetëm në rrugën që mendojmë se na çon atje. Duke menduar si shqiptarë, ne mendojmë se rruga për në BE nuk shkon përmes Serbisë dhe Beogradit. Prandaj, qysh në fillim ne si opozitë kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi kundër projektit të ‘Ballkanit të hapur’. Ne shqiptarët e Maqedonisë, po e bëjmë edhe një herë të qartë se nuk rreshtohemi prapa asnjë kauze dhe asnjë lideri që dëshiron të anashkalojë shtetin tonë më të ri, Kosovën tonë të dashur. Rruga e shqiptarëve për në Be nuk kalon përmes Beogradit. Rruga e shqiptarëve, para së gjithash, kalon përmes një koordinimi gjithëkombëtar, si në aspektin e koordinimit politik në politikën e jashtme ashtu edhe përmes forcimit të lidhjeve dhe bashkëpunimeve brenda institucioneve tona. Në këtë kontekst, siç e kam kërkuar edhe më herët si kryetar i Lëvizjes Besa edhe sot i kërkoj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të tërhiqet plotësisht nga projekti i ashtuquajtur ‘Ballkani i hapur’ dhe të fokusohemi tek Procesi i Berlinit”, tha mes tjerash Kasami./KlanMacedonia