Ndonëse ishte festë e myslimanëve një burrë grisi dhe dogji Kuranin jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit. Një ngjarje që zemëron Turqinë dhe vështirëson anëtarësimin Suedisë në NATO.
Rreth 200 persona ishin të pranishëm kur u gris dhe shkelej me këmbë libri i shenjtë. Disa nga të pranishmit brohorisnin: “Zoti është i Madh” në arabisht për të protestuar kundër djegies. Ndaj personit autoritetet ngritën akuzat për agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar. Menjëherë pas ngjarjes pati reagime të shumta nga vendet myslimane që e dënuan aktin e djegies së librit të shenjtë.
Për të përshpejtuar anëtarësimin e Suedisë në NATO Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thirri një takim me zyrtarë të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda, në përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet turke. Hungaria gjithashtu nuk e ka ratifikuar ende protokollin e anëtarësimit të Suedisë dhe ligjvënësit thonë se kjo nuk do të ndodhë deri në sesionin e vjeshtës.
Në një reagim pas incidenteve të fundit presidenti turk Recep Tayip Erdogan deklaroi se ndërsa Ankaraja kërkon ndryshime në legjislacionin kundër terrorizmit në Suedi, mbështetësit e militantëve kurdë vazhdojnë të organizojnë demonstrata duke rekrutuar njerëz dhe duke siguruar burime financiare dhe se kjo situatë është e papranueshme për Turqinë.
Qeveria turke akuzon Suedinë se është shumë e butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron kërcënim për sigurinë. Pavarësisht këtyre pengesave Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi aktin, por inkurajoi Hungarinë dhe Turqinë të miratojë protokollin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.
Klan News