Sot në Bruksel filloi skriningu bilateral për Kapitullin 15 – Energjetika dhe Kapitulli 21 Rrjetet transevropiane, si pjesë e Agjendës së gjelbër i Klasterit 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme”.
Takimin, siç thuhet në komunikatën e SÇE, e hapi Sekretarja e Shtetit në Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe Zëvendës Kryenegociatorja me BE-në, Drita Abdiu-Halili, e cila në fjalën e saj hapëse tha se zhvillimi i sektorit të energjisë është në krye të agjendës së qeverisë.
“Qeveria është e përkushtuar për reformat energjetike, jo vetëm sepse janë kusht kyç për anëtarësimin e vendit në BE, por edhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët e energjisë”, shtoi Abdiu Halili.
Ajo përmendi se Maqedonia e Veriut, ashtu si pjesa tjetër e Evropës, ka përjetuar vështirësi financiare në lidhje me COVID-19, por edhe për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të gazit natyror dhe energjisë elektrike për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kjo nuk e ka ndikuar që qeveria të tërhiqet nga investimet në agjendën e gjelbër dhe mjedisin e shëndetshëm.
“Edhe pse kjo vështirësi ka detyruar shumë vende të përqendrojnë përpjekjet e tyre në menaxhimin e krizave në vend të reformave sistematike, vendi ynë mbetet shumë i fokusuar në zhvillimin e energjisë së pastër dhe diversifikimin e burimeve energjetike”, theksoi zëvendëskryenegociatorja Abdiu Halili në fjalën e saj hyrëse.
Skriningu dypalësh për kapitujt 15 dhe 21 do të vazhdojë nesër, ku axhenda përfshin respektimin e legjislacionit të BE-së në këtë fushë dhe planet e ardhshme për prezantimin e standardeve evropiane dhe ngritjen e kapaciteteve.