Brenda 6 muajsh për Orjol Lamen duhet që të bëhet një vlerësim mjekësor i ri. Ai është shoferi, i cili në gjendje të dehur, i droguar dhe pa patentë e siguracione, përplasi makinën më 30 Tetor 2022. Pasojat ishin të tmerrshme. Nga përplasja humbën jetën partnerja e tij, Shane, djali i tyre Matiasi, 1 vjeç e gjysmë dhe vëllai e motra të Shanes, Resati dhe Rejana.
Në seancën e djeshme dëgjimore, gjykatësi pranoi kërkesën e zëvendësprokurorit dhe palës civile, anëtarëve të familjes së katër viktimave. Është rënë dakord që raporti të jetë i përfunduar më 10 Dhjetor.
Lame është akuzuar për vrasje të shumëfishtë në rrugë. Në një raport të publikuar disa ditë më parë, Lame u shpall i paaftë për të marrë pjesë në gjyq si “pasojë e dëmtimeve neurologjike post-traumtaike me deficenca të sjelljes për t’u rivlerësuar”.
Lame është i vetmi i mbijetuar nga aksidenti i asaj nate. Ai qëndroi disa kohë në koma në terapi intensive. Në fund të Dhjetorit ai u zgjua dhe u dërgua në një qendër të veçantë rehabilitimi nga post-traumat. Prokurori kërkoi masën e sigurisë arrest shtëpie në një qendër kujdesi, por gjykata e refuzoi. Mirëpo më vonë, gjykata e Apelit e liroi Lamen dhe tashmë ai është sjellë në atdhe në Shqipëri.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 Tetor të vitit të kaluar. Orjol Lame, gruaja e tij, Shane, djali Mattias dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Rejana dhe Resati, po ktheheshin nga një darkë në Reggio Emilia. Por makina e tyre u përplas në një shtëpi të pabanuar. Shane, Mattias, Rejana dhe Resati humbën jetën menjëherë si pasojë e përplasjes së fortë.
Përveçse i jepte makinës i droguar dhe i dehur, Lame kishte precedentë penalë pasi ishte arrestuar për shpërndarje droge. Por sipas mediave italiane, Lame për shkak të një urdhër dëbimi nuk mund të merrte kurrë një patentë italiane. Për këtë arsye, më 30 Tetor ai ka qenë duke i dhënë një makine, e cila ishte e pasiguruar dhe në emër të një personi që kishte ndërruar jetë./tvklan.al