Ndryshimi i motit shton thirrjet në urgjencë/ Meteorologët: Rikthehen ditët me shi, fundjava përsëri e nxehtë

Drejtori i Qendrës Urgjente, Gorgi Karamanoski ka njoftuar për një numër të rritur të rasteve shëndetësore, sidomos për ata që kanë humbur ndjenjën në vende publike për shkak të motit të nxehtë. Luhatja e temperaturave dhe veçanërisht rikthimi i atyre më të larta , pas motit të paqëndrueshëm ka bërë që në linjën urgjente të regjistrohet fluks telefonatash nga qytetarë të shqetësuar për shëndetin e tyre. 

“Thirrjet më të shpeshta që marrim janë nga pacientë kronikë, në radhë të parë janë pacientët tanë që janë numri më i madh i telefonatave, por sigurisht për shkak të valës së të nxehtit afrikan që ka përfshirë territorin tonë për momentin. Prej mëngjesit të sotëm kemi pasur shtatë deri në tetë telefonata për persona që kanë rënë pa ndjenja dhe janë lënduar në vende publike” – tha Gorgi Karamanovski, mjek.

Situata meteorologjike aktualisht është e pazakontë, siç shpjegon Ivana Petroviç nga Enti për Punë Hidrometeorologjike. Pas një fundjave të nxehtë, sontë gjatë natës pritet ritkhimi i rreshjeve të shiut.

“Presim destabilizimin e motit tashmë gjatë ditës së nesërme nën ndikimin e një mase të lagësht stabile dhe ajrore nga Mesdheu, do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira, vende-vende jostabile, por me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima,  këto procese mund të ndodhin në orët e mëngjesit, por më shumë pasdite. Gjatë fundjavës do të mbizotërojë sërish mot me diell dhe shumë i nxehtë” – tha Ivana Petroviç, meteorologe.

Autoritetet i këshillojnë qytetarët që të mbajnë veten të hidratuar dhe të shmangin ekspozimin e tepërt ndaj diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës. Ndërkohë, ekipet e urgjencës po punojnë me kapacitet të plotë për të ofruar ndihmën dhe kujdesin e nevojshëm për pacientët e prekur nga kushtet ekstreme të motit. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share