Ngjarjet ekstreme të motit nga valët përvëluese të të nxehtit deri te reshjet jashtëzakonisht të mëdha kanë shkaktuar trazira në të gjithë globin këtë vit, me mijëra njerëz të vrarë dhe miliona të tjerë të zhvendosur. Në tre muajt e fundit, musonet shkaktuan përmbytje katastrofike në Bangladesh dhe valët e të nxehtit ekstrem përfshinë pjesë të Azisë Jugore dhe Evropës. Ndërkohë, thatësira e zgjatur ka lënë miliona në prag të urisë në Afrikën Lindore.
“Ne e dimë se pothuajse të gjitha valët e të nxehtit në mbarë botën po bëhen më intensive nga ndryshimet klimatike. Ne e dimë që duke parë ndikimet e tyre, veçanërisht në vende si Evropa, kjo ka një ndikim serioz në shëndetin e njerëzve dhe gjithashtu po shkakton një lloj përçarje ekonomike, sepse njerëzit që punojnë jashtë nuk mund të jene aq produktive gjatë vapës”.
Një ekip shkencëtarësh të klimës publikuan një studim në revistën Environmental Research: Climate ku shqyrtuan rolin që ka luajtur ndryshimi i klimës gjatë dy dekadave të fundit. Gjetjet konfirmojnë paralajmërimet se si ngrohja globale do të ndryshojë botën dhe gjithashtu bën të qartë se çfarë informacioni mungon.
Ekzistojnë gjithashtu boshllëqe të mëdha të të dhënave në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke e bërë më të vështirë për të kuptuar se çfarë po ndodh në ato rajone, është shprehur bashkëautorja Friederike Otto.
“Ajo që ne po shohim në Evropën veriore ose në hemisferën veriore është saktësisht ajo që tregon studimi ynë sepse kemi shumë më shumë valë të të nxehtit. Kemi valë të nxehti në Evropë, kemi valë të nxehti në Arabinë Saudite për momentin. Ne kemi valë të nxehti në Kinë si dhe përmbytje, në SHBA etj. Thjesht shohim që frekuenca e valëve të të nxehtit është rritur kaq shumë”.
Në përgjithësi, një valë e të nxehtit që më parë kishte një shans 1 në 10 për të ndodhur tani ka pothuajse tre herë më shumë gjasa dhe duke arritur kulmin në temperatura rreth 1 gradë Celsius më të lartë. Një valë e të nxehtit e prillit që pa termometrin të ngjitej mbi 40 gradë Celsius në Indi dhe Pakistan, erdhi si pasojë nga ndryshimi i klimës. Valët e të nxehtit dhe kushtet e thatësirës po përkeqësojnë gjithashtu zjarret, që po djegin më shumë se 100,000 hektarë.
Klan News