Ish-presidenti finlandez mori çmimin e Nobel në 2008, hartoi planin për shpalljen e Pavrësisë së Kosovës
Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në Helsinki.
I emëruar nga Kombet e Bashkuara si i dërguar i posaçëm në vitin 2005, ai përgjatë vitit 2006 udhëhoqi bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës dhe në mars të vitit 2007 paraqiti planin që parashihte pavarësinë e mbikëqyrur. Me 17 Shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e atij plani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se populli i Kosovës sot mban zi për ndarjen nga jeta të ish presidentit Martti Ahtisaari.
“Ai qëndroi krah për krah me ne ndërsa ne shkruanim historinë tonë si një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Trashëgimia e tij vizionare do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e popullit të Kosovës”.
Ai mori Çmimin Nobel për Paqe më 2008 për kontributin e tij për dhënien fund të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore.
Në fjalimin e tij gjatë marrjes së cmimit Nobel , Ahtisaari deklaroi se të gjitha konfliktet mund të zgjidhen: “Paqja është çështje e vullnetit. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen dhe nuk ka asnjë justifikim që t’i lejojmë që ato të bëhen të përjetshme”, u shpreh ai në atë kohë.
Mediat thonë se, mungesa e lidhjeve politike në Finlande, e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 1994, kur drejtonte opozitën socialdemokrate.
Pas mandatiti 6-vjeçar në krye të shtetit, atij iu ofruan disa pozicione të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, por nuk pranoi. Ai hapi një organizatë në kryeqytetin Helsinki, që kishte për qëllim ndërmjetësimin e krizave ndërkombëtare.
Ahtisaari u tërhoq nga jeta publike dhe politike në 2021, pasi u diagnostikua me sëmundjen e Alzajmerit.
Ai la pas gruan e tij, Eeva, dhe djalin, Marko, një sipërmarrës në sektorin e teknologjise dhe ish-drejtues i lartë në kompaninë Nokia.
Klan News