”Është ndarë nga jeta nobelisti Prof. Dr. Ferid Murad, personaliteti i rrallë që e nderoi mbarë kombin tonë, prejardhjen e të cilit e theksojmë me mburrje dhe krenari.
Babai i tij Xhabir Murat Ejupi, është i lindur në fshatin Llakavicë të Gostivarit, fakt që zgjon një krenari të veçantë për të gjithë ne. I ati i Prof. Dr. Ferid Murad, që në moshë të hershme, në kërkim të një jete më të mirë, e braktisi vendlindjen e tij Llakavicën dhe emigroi në vendet ballkanike, kurse në vitin 1913 u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1935 u martua me Henriet Jozefina Boumen nga Ilinoisi. Djali i tyre, Ferid Murad, lindi në vitin 1936 në Vajting të Indianës.
Fëmijërinë e kaloi në një familje punëtore, por të mbushur përplot me pasuri dhe begati shpirtërore. Nga gjyshja dhe e ëma që ishte një personalitet i veçantë, trashëgoi virtyte të çmuara morale, humanizmin si dhe mirësjelljen ndaj njerëzve.
Mendimi dhe puna e tij e kanë pasuruar shkencën me botime shkencore dhe publikime profesionale, libra dhe literaturë të ngjashme. Kontributi profesional-shkencor, paraqet udhërrëfyes për gjeneratat e reja, që janë përcaktuar për punë kërkimore-shkencore. Veprat e tij shkencore, vlerësohen për përparimin e avancuar në veprimtarinë hulumtuese. Librat e botuar dhe punimet shkencore, janë burim i pashtershëm për studiuesit e ardhshëm shkencorë në fushën e farmakologjisë dhe biomjekësisë. Vlerat unike dhe cilësia e punimeve të publikuara e dëshmojnë urtësinë e mendimit të kalitur shkencor, të Prof. Dr. Ferid Murad.
Veprimtaria në fushën e drejtimit të institucioneve, e orientuar kah diagnoza dhe terapia e sëmundjeve të rënda psiko-gjenerative, në pajisjen bashkëkohore për hulumtime laboratorike të udhëhequra nga punonjës shkencorë të njohur, përbën kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e mendimit shkencor në fushën e mjekësisë.
Nobelisti Ferid Murad, përmes prezantimeve dhe referateve shkencore në konferenca shkencore,seminare dhe tubime të tjera të rëndësishme ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në zhvillimin e mendimit shkencor në fushën e mjekësisë dhe farmakologjisë. Duke i respektuar arritjet dhe sukseset e nobelistit, Prof. Dr. Ferid Murad, kontributin e tij të gjithanshëm, punën kërkimore – shkencore, veprimtarinë profesionale aplikative dhe publicistike, vlerat etike, angazhimin në thellimin e punës hulumtuese dhe zbulimeve shkencore në fushën e shkencave të mjekësisë, humanizmin, rolin novator në fushën e shkencave të biomedicinës, zbulimin e jashtëzakonshëm për rolin e oksidit të azotit në sëmundjet kardiovaskulare, si dhe dëshirën për bartjen e njohurive të pasura dhe krijimin e kushteve për realizimin e aktiviteteve kërkimore – shkencore të hulumtuesve të rinj, Universiteti i Tetovës, në qershor të vitit 2012, i ndau titullin Doktor Nderi i Shkencave (Doctor Honoris Causa).
Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për arsimin, shkencën dhe hulumtimet shkencore në nivel botëror. Vepra e tij do të mbetet e përjetshme dhe do të jetë ndihmesë e jashtëzakonshme për studentët dhe punonjësit shkencorë të shkencave mjekësore.
Ne, në Universitetin e Tetovës, ndajmë dhimbjen e thellë dhe të gjithë së bashku me studentët dhe pedagogët tanë, familjes së nderuar të nobelistit tonë i shprehim ngushëllimet më të ndjera, po ashtu edhe miqve të panumërt të tij dhe drejtuesve të institucioneve ku ai punoi dhe la gjurmë të pashlyeshme” – thuhet në telegrafm ngushëllimin e UT-së.