Ish-deputeti nga radhët e LSDM-së, Mile Andonov, ka vdekur pasi ka rënë nga çatia e shtëpisë së tij verore në Bjeshkët e Osogovës.
“Në orën 18:00 nga urgjenca mjekësore është raportuar se M.A. i lindur në vitin 1962 nga Koçani duke punuar në çatinë e një shtëpie verore në malin Osogovë është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë në vend. Vdekja është konstatuar nga shërbimet emergjente mjekësore, është njoftuar prokurori publik”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Siç transmeton Lideri.mk, Andonov në tre mandate, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte pjesë e grupit parlamentar të LSDM-së. Si ekonomist i diplomuar, Andonov ka udhëhequr edhe një biznes privat të tekstileve.
Bashkëpartiakët e tij i kanë dhënë lamtumirën Andonovit në rrjetin social Facebook.
“Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të të ndjerit tragjikisht Mile Andonov, mikut dhe anëtarit tonë të nderuar partiak. Andonov ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Koçanit, por edhe në jetën politiko-ekonomike në vend, si deputet nga radhët e LSDM-së, por edhe si mbështetës i fuqishëm i proceseve reformuese, progresive, socialdemokrate. politikat. U prehtë në paqe”, ka shkruar LSDM./Lideri