Aksioni i kërkimit të tre të zhdukurve në lumin Lepenc nê rrugën Shkup – Bllacë është ndërprerë përkohësisht për shkak të kushteve të vështira dhe dukshmërisë së ulët në terren, informon gazetari i Klan Macedonia, Furkan Saliu nga vendgjarja.
Aksioni do të rifillojë sërish në orën 6 të mëngjesit, ndërsa në aksion përveç pjesêtarëve të ushtrisë, zjarrfikës e vullnetarë nga Maqedonia, do të marrin pjesë edhe pjesëtarë nga Ushtria e Kosovës.
Më herët në vendin e ngjarjes ka qenë edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bashkë me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Nazim Bushi.
Me automjetin e tipit BMW me targa të Kosovës kanë udhëtuar 4 anëtarë të familjes Pacolli nga Kosova, të cilët ishin duke u kthyer nga Aeroporti i Shkupit drejt Prishtinës, informon KlanM.
Njëri nga ta, 20 vjeçari Shkëlqim Pacolli ka shpëtuar duke u hedhur nga makina.
Gazetari Furkan Saliu dhe ekipi i Klan Macedonia ka qenë gjatë gjithë kohës në terren, që nga momentet e para të aksidentit./KlanMacedonia