Agjencitë e ndihmave pezullojnë programet në Afganistan
Katër agjenci ndërkombëtare të ndihmës, përfshirë “Save the Children” kanë pezulluar programet e tyre humanitare në Afganistan në përgjigje të urdhrit të administratës së drejtuar nga talebanët për të ndaluar punonjëset femra të punojnë. Administrata urdhëroi të gjitha organizatat joqeveritare (OJQ) vendase dhe të huaja që të mos lejojnë punonjëset femra të punojnë deri në njoftimin e dytë.
Masa u dënua globalisht dhe ky vendim vjen pasi gratë nuk i ishin përmbajtur urdhrit të talebanëve të kodit islam të veshjes për gratë. Tre OJQ, “Save the Children”, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve dhe CARE International thanë në një deklaratë të përbashkët se po pezullonin programet e tyre ndërsa prisnin qartësinë e urdhrit të administratës.
“Ne nuk mund të arrijmë të ndihmojmë në mënyrë efektive fëmijët, gratë dhe burrat në nevojë në Afganistan pa stafin tonë me punonjëse femra,” thuhet në deklaratë. Stafi i femrave të këtyre organizatave ndihmuan milioan afganë në Gusht për shkak të intensifikimit të krizës që ka përfshirë vendin. Gjithashtu edhe Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) tha në një deklaratë se po pezullonte shërbimet e tij në vend, duke përmendur arsye të ngjashme. Ky komitet punëson më shumë se 8,000 njerëz në Afganistan, mbi 3,000 prej të cilëve janë gra.
Pezullimi i disa programeve të ndihmës që miliona afganë kanë akses vjen në një kohë kur më shumë se gjysma e popullsisë mbështetet në ndihma humanitare. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Afganistan gjithashtu shprehu shqetësim për këtë veprim dhe një ndalim të mëparshëm duke paralajmëruar pasoja katastrofike humanitare në afat të shkurtër dhe afatgjatë.
Klan News