Ndërhyrjet e spektrit politik të Kosovës në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, nuk I konsideron të dobishme kreu i BDI-së Ali Ahmeti, posaqëriasht në proceset euroatlantike që po kalon Kosova.
Nga Gllogjani ai ka thënë se ndërhyrjet e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhje në Maqedoni të Veriut, nuk ndikojnë në raportet me Kosovën por që kërkon që “të mos lihet një hije e keqe tek popullata në Maqedoni të Veriut”.
“Fqinjët duhet t’i kenë aleat për proceset e rëndësishme. Maqedonia e Veriut vend anëtare në NATO, është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është në të gjitha institucionet ndërkombëtare, kurse Kosova sigurisht që është e pikë e dobët, duke filluar nga unë. Këto raporte që ju i theksoni fare nuk do të ndikojnë në raportet ndërshtetërore Kosovë-Maqedoni e Veriut, por e mira është që të mos lihet një hije e keqe tek njerëzit, tek popullata në Maqedoni, sepse asnjëherë nuk ka ndërhyrë as Kosova e as Maqedonia nëpër fushata”, tha Ali Ahmeti.
Ahmeti thotë se raste të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, madje as nga Shqipëria.
“As unë nuk jam involvuar asnjëherë në Kosovë, pavarësisht se unë të gjithë i kam bashkëluftëtarët të angazhuar në partitë politike por asnjë raund nuk kam mbajt anë. As Shqipëria nuk ka mbajt anë në Maqedoni por kjo varet edhe prej qëndrimeve të njerëzve, prej qëndrimeve të drejtueseve. Nuk do të ketë ndonjë pasojë apo diçka e tillë në Maqedoni. Nuk ka ndikuar në përçarje por nuk pritet me admirim kjo ndërhyrje”, tha Ahmeti.
Më 8 maj votohet së bashku për zgjedhjet parlamentare edhe për raundin e dytë të atyre presidenciale derisa lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në garë me kandidatët e saj bashkë me koalicionin e partive opozitare shqiptare VLEN.
Madje disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosjes nuk kanë hezituar të bëjnë fushatë në Kumanovë dhe Shkup disa disa ditë para zgjedhjeve./tvklan.mk