Ndalohet qarkullimi në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, automjete të bllokuara edhe në Mavrovë

 Ndalesë për të gjitha llojet e automjeteve është vendosur në rrugën rajonale Tetovë – Kodra e Diellit për shkak të reshjeve të borës. Nga Lidhja Auto-moto e Maqedonisë informojnë se ndalesa është vendosur që nga ora 14:35.

Parprakisht, Qendra për Menaxhim me Kriza informon se në numrin e vetëm të emergjencës 112 janë pranuar njoftime për automjete të bllokuara në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit.

QMK-ja theksoi se sot në ora 13:05 kanë marrë njoftim se persona zyrtarë të Njësisë territoriale të zjarrfikësve nga Gostivari për një automjet zyrtar të bllokuar mes hotel “Radika” dhe Bunecit dhe se me to janë bllokuar që herët edhe rreth 20 vetura të tjera këtë mëngjes. Për momentin presim një makinë-frezë më të madhe nga “Rrugët e Maqedonisë” për të pastruar borën.

Zyrtarët kërkojnë intervenim nga “Rruga e Maqedonisë” me mekanizim për pastrimin e rrugës, si dhe nga Policia për ndalimin e automjeteve për të evituar grumbullimin shtesë, theksojnë nga QMK-ja.

“QRMK Tetovë se kanë kontaktuar me SP Kodra e Diellit, denoncuesin dhe “Rrugët e Maqedonisë”. Ata kanë raportuar se veturat e bllokuara në Kodrën e Diellit nuk janë pasojë e rrugëve të papastruara, por janë qytetarë të pakujdesshëm që kanë shkuar me goma verore për në Kodrën e Diellit. Rruga është e kalueshme, dy automjete janë duke e pastruar. Problemet krijohen nga njerëzit. Mjetet me goma dimërore lëvizin në rrugë pa asnjë problem. Në vendngjarje ndodhet patrulla e SP Kodra e Diellit. Sipas personit kujdestar në Stacionin Policor, Kodra e Diellit, në periudhën e ardhshme për të njëjtin problem mund të thërrasin edhe ankues të tjerë, sepse me kalimin e kohës një numër më i madh i njerëzve do të nisin të zbresin nga Kodra e Dellit në drejtim të Tetovës dhe do të krijohen kolona më të mëdha të automjeteve”, thonë nga QMK-ja.

Nga ndërmarrja e transportit publik “Rruga e Maqedonisë” ka njoftuar sot pasdite se nga ora 14:00 është normalizuar qarkullimi në rrugën Gostivar-Kërçovë përmes qafës malore Strazhë.

Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike njofton se reshjet e shiut dhe të borës do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Në pjesët perëndimore dhe jugore do të ketë reshje më të mëdha ku do të reshin mbi 30 l/m2. Në zonat malore dhe më të larta, kryesisht në pjesët perëndimore, reshjet do të jenë të borës. Përgjatë Vardarit do të fryjë erë mesatare, herë pas here e fortë nga drejtimi verior. Temperatura maksimale do të arrijë nga 2 deri në 7 gradë.

Më së shumti borë mëngjesin e sotëm ka rënë në Hanet e Mavrovës (61 centimetra), ndërsa borë ka edhe në Krushevë, Kodrën e Diellit, Dibër, Pretor, Berovë dhe Manastir.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share