Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka vizituar përfaqësues të shoqërisë civile të serbëve nga Gorazhdeci me të cilët ka biseduar për ndikimin e Rregullores të re të BQK-së për dinarin.
Ai ka theksuar se ka qenë dëshirë e tij që të takohet edhe me qytetarë e të dëgjojë rrëfimet për përvojat e tyre.
“Kam dashur të vij në këtë qytet, të dëgjoj rrëfimet e njerëzve nga dora e parë se si ndikohen nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Është e vështirë të dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent”, tha Escobari.
“Këtu ka një komunitet që po vuan vërtet. Ka njerëz që përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensione. Kështu që unë me të vërtetë dua të punoj me qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente”, tha zyrtari amerikan.
Ai tha se të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, u shpreh ai.
Gabriel Escobar kishte një mesazh për komunitetin serb që ka takuar, por edhe për autoritetet në Kosovë.
“Sa i përket komunitetit që jeton këtu, dua që komuniteti të ndiejë dhe të dijë se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte sigurie dhe me dinjitet. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për ta. E për sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta realizuar dhe për këtë do t’i mbajmë përgjegjës”, tha Escobari për “Radio Gorazhdecin”, transmeton Klankosova.tv.