NATO rrit mbikëqyrjen e Detit të Zi

Kritikon Rusinë për daljen nga marrëveshja e grurit

Të mërkurën, NATO njoftoi se ka marrë vendim që të rrisë mbikëqyrjen e rajonit të Detit të Zi, në përgjigje të tërheqjes së Rusisë nga një marrëveshje që siguronte transitin e sigurt të anijeve që transportonin grurë ukrainas.

Njoftimi pasoi një takim të Këshillit NATO-Ukrainë, i cili u krijua kohët e fundit për të lehtësuar koordinimin midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Kievit.

“Aleatët dhe Ukraina dënuan me forcë vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja e grurit të Detit të Zi dhe përpjekjet e saj të qëllimshme për të ndaluar eksportet bujqësore të Ukrainës nga të cilat varen qindra milionë njerëz në mbarë botën”, tha NATO në një deklaratë.

“NATO dhe aleatët po rrisin mbikëqyrjen në rajonin e Detit të Zi, duke përfshirë avionët e patrullimit detar dhe dronët”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja që lehtësoi eksportin e sigurt të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi skadoi më 17 korrik, pasi Rusia vendosi të tërhiqej prej saj. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shprehu shqetësime, duke thënë se kjo lëvizje do të kishte një ndikim negativ te kategoritë e varfra në mbarë botën.

Moska tregoi se mund ta rishqyrtojë marrëveshjen nëse përmbushen kërkesat e saj për përmirësimin e eksporteve të grurit dhe plehrave të saj.

Deklarata e NATO-s kritikoi një paralajmërim rus se pjesë të ujërave ndërkombëtare të Detit të Zi ishin përkohësisht të pasigurta për lundrim.

Si pjesë e atij paralajmërimi, Rusia deklaroi gjithashtu se çdo anije që udhëton në portet e Detit të Zi të Ukrainës do të konsiderohej si transportues i ngarkesave ushtarake për Ukrainën.

“Aleatët vunë në dukje se zona e re e paralajmërimit të Rusisë në Detin e Zi, brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë, ka krijuar rreziqe të reja për keq-llogaritje të gabuara dhe përshkallëzime, si dhe pengesa serioze për lirinë e lundrimit”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Bullgaria është anëtare e NATO-s.

NATO tha gjithashtu se dënon sulmet e fundit ruse në Odesa, Mikolaiv dhe qytete të tjera portuale, duke përfshirë një sulm me dron në një objekt të magazinimit të grurit të Ukrainës në qytetin port të Danubit, Reni, pranë kufirit me Rumaninë që po ashtu është anëtare të NATO-s.

“Ne mbetemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të territorit aleat nga çdo agresion”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share