NATO-ja nënshkroi të martën një kontratë në vlerë të 1.1 miliardë eurove për qindra mijëra fishekë artilerie 155 milimetërsh me disa prej të cilave do të furnizohet Ukrainëa pasi Kievi u ankua për mungesë municioni.
“Lufta në Ukrainë është kthyer në një betejë municionesh”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas një ceremonie nënshkrimi në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov tha javën e kaluar se mungesa e municioneve, të cilat ai e përshkroi si “uri e predhave”, ishte një problem i madh për trupat e Kievit gati dy vjet pas pushtimit të plotë të Rusisë.
Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin (NSPA) e arriti marrëveshjen në emër të disa aleatëve, të cilët ose do t’ia kalojnë predhat Ukrainës ose do t’i përdorin ato për të grumbulluar inventarin e tyre të varfëruar, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Një zyrtar i NATO-s i identifikoi blerësit si Belgjika, Lituania dhe Spanja, të cilat u bashkuan për të përfituar nga çmimet më të ulëta të siguruara nga blerja me shumicë.
Kontrata ka të ngjarë të japë rreth 220,000 fishekë municione artilerie, me dërgesat e para që priten në fund të vitit 2025, tha zyrtari për Reuters.
Predhat do të furnizohen nga prodhuesi francez i armëve Nexter dhe Junghans i Gjermanisë, sipas një burimi të industrisë.
Që kur NATO-ja filloi një program për të adresuar mungesat në rezervat ushtarake të aleatëve korrikun e kaluar, NSPA ka rënë dakord për marrëveshje me vlerë 9.19 miliardë euro, tha Stoltenberg. Kjo përfshinte predha artilerie dhe tankesh, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore “Patrio”t.
Në një takim në shkurt, ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë mënyra të tjera për të rritur prodhimin industrial, të cilat shefi i Aleancës Veri-Atlantike i përshkroi si absolutisht të nevojshme për të mundësuar mbështetjen e vazhdueshme perëndimore për Kievin.