NATO: I përshëndesim hapat e Prishtinës dhe Beogradit dhe bëjmë thirrje për përparim të mëtutjeshëm

ëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Xhoana sot i përshëndeti hapat të cilat i ndërmarrin Prishtina dhe Beogradi në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe bëri thirrje për përparim të mëtutjeshëm.

Xhoana shkroi në Tuiter se ka pasur “bisedë të mirë telefonike” me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, dhe shtoi se NATO “mbetet fuqishëm e përkushtuar” për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor edhe përmes misionit të KFOR-it në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të hënën në Bruksel, sipas kreut të diplomacisë evropiane, Zhosep Borel, ranë dakord për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të vazhdojnë negociatat për modalitetet e zbatimit të saj.

Negociatat vazhdojnë më 18 mars në Shkup. Kurti bëri të ditur sot se zgjedhja e Maqedonisë së Veriut si vend për takimin e radhës ka simbolikë, sepse në vitin 1999 në vend u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, e cila shënoi kapitullimin e presidentit të atëhershëm të RSJ-së, Sllobodan Millosheviq.

Kurti në Forumin e Dytë Ekonomik të mbajtur në Shkup tha se Boreli zgjodhi ta mbajë takimin në Maqedoninë e Veriut për disa arsye – sepse Shkupi është qyteti më i madh afër Prishtinës dhe ka një ndikim të madh në të gjithë rajonin dhe sepse Maqedonia e Veriut po përparon në demokraci, sundimin e drejtësisë dhe integrim evropian.

“Dhe në Maqedoninë e Veriut, më saktësisht në Kumanovë, u nënshkrua e ashtuquajtura Marrëveshja e Kumanovës për kapitullimin e ish-presidentit të RSJ-së, Sllobodan Millosheviq dhe hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, kështu që Maqedonia e Veriut ka rol simbolik dhe për këtë Boreli na ftoi këtu”, tha Kurti.

Ai shtoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen, ndërsa normalizimi mund të arrihet vetëm me njohjen reciproke.

Sipas tij, të njëjtën gjë kanë thënë presidenti amerikan Xho Bajden, sekretari i shtetit Entoni Blinken, kancelari gjerman Ollaf Sholc “i cili nënvizoi se njohja reciproke është thelbi dhe pika qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share