NATO do të rrisë trupat ushtarake të gatishmërisë së lartë

Shkak i këtij vendimi të aleancës është rritja e kërcënimit nga Rusia

NATO do të rrisë në mënyrë drastike numrin e trupave të saj ushtarake që janë në gatishmëri të lartë. Lajmin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

“Në samit do të forcojmë mbrojtjen tonë. Do të rrisim grupet tona të betejës në pjesën lindore të aleancës deri në nivelet e brigadës. Ne do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave të gatishmërisë së lartë në mbi 300,000”.

Deri më tani aleanca ushtarake ka rreth 40,000 trupa ushtarake që janë në gatishmëri të lartë. Shkak i këtij vendimi të aleancës ushtarake më të madhe në botë është kërcënimi rus.

Pyetjes së njërit prej gazetarëve se a ekziston mundësia që aleanca të sulmohet nga Rusia, shefi i NATO-s i dha këtë përgjigje.

“Padyshim që jemi të shqetësuar për rritjen e pranisë ushtarake në Kaliningrad. Ne e kemi parë këtë gjatë shumë viteve, gjithashtu me sisteme shumë të avancuara të armëve dhe kjo është arsyeja pse ne kemi modernizuar forcat tona të armatosura, aftësitë tona dhe gjithashtu kemi rritur praninë tonë në këtë pjesë të rajonit”.

Stoltenberg u shpreh gjithashtu se do të takohet me krerët e Turqisë, Finlandës dhe Suedisë përpara samitit të Madridit për të diskutuar aspiratat e vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share