Nata e vitit të ri/ Në Shkup nuk do të këndohet në shqip – MPB me paralajmërime për mjetet piroteknike!

Qyteti i Shkupit kohë më parë njoftoi se do të ketë pritje të organizuar të Vitit të Ri në sheshin “Maqedonia” në Shkup.

Gjithashtu është publikuar edhe programi festiv dhe pjesëmarrësit.

Në natën e ndërrimit të moteve janë kontraktuar të këndojnë: Sarah Mejs dhe The Girlzz, “Lubojna”, Rok Grupi “Area” dhe Grupi “Nokaut”

Festa me programin muzikor më 31 dhjetor, nis në orën 19.30 – thonë organizatorët.

Sikurse edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, nuk do të ketë artistë shqiptarë që do të performojnë në natën më të harreshme të vitit.

Ndërkohë që bëhen përgatitjet për festën e fundvitit, MPB-ja ka bërë thirrje që të shmangen mjetet piroteknike. MPB-ja për Klan Maqedoni tha se do të sanksionohen të gjithë ata që do të përdorin fishekzjarre dhe mjete tjera piroteknike. U bëjnë thirrje prindërve që të kenë kujdes me fëmijtë e tyre dhe mos t`u lejojnë përdorimin e mjeteve piroteknike.

Sipas MPB-së, nga 1 janari deri më 30 nëntor, janë regjistruar 25 kallëzime penale, kurse vetëm gjatë muajit dhjetor janë gjetur dhe sekuestruar 137.095 fishekzjarre.

MPB

“Neni 31 i Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike parashikon gjobë për personin që përdor mjete piroteknike pa autorizim. Sipas Kodit Penal, neni 396 parashikon prodhimin, mbajtjen dhe tregtimin pa leje të armëve ose lëndëve plasëse, ku: Me burgim nga tre deri në dhjetë vjet, dënohet kushdo që pa autorizim prodhon, mban, shet, siguron ose tregton armë zjarri, municion ose lëndë shpërthyese. Nëse objekt i veprës nga paragrafi 1 është sasia e madhe e armëve të zjarrit, municionit apo lëndëve shpërthyese, apo armëve të zjarrit, municionit apo lëndëve shpërthyese që u ndalohen qytetarëve, kryesi do të dënohet me së paku pesë vjet burgu” – thonë nga MPB.

Në gatishmëri do të jenë edhe autoritetet e shëndetësisë. Bëjnë thirrje që të mos teprohet me alkoolin, për të shmangur pasojat e padëshiruara , si helmimi nga alkooli, zënka dhe aksidentet në komunikacion. 

Në natën e ndërrimit të viteve, 31 dhjetor 2024, klinikat e kujdesit shëndetësor do të jenë në ndërrimin e tretë sikurse të dielave dhe gjatë festave, në poliklinikat – Jane Sandanski, Çair, Shuto Orizari, Gjorçe Petrov, Draçevë dhe Bit Pazar. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share