Katër astronautë, mes tyre një grua, do të drejtojnë një mision drejt hënës, njoftoi të Hënën agjencia amerikane e hapësirës, NASA. Ekuipazhi i përbërë nga tre amerikanë dhe një kanadez u prezantua gjatë një ceremonie në Hjuston, ku ndodhet edhe qendra e kontrollit të misionit. “Ky është ekuipazhi i njerëzimit”, tha shefi i agjencisë NASA, Bill Nelson.
Katër astronautët do të jenë të parët që do të fluturojnë në kapsulën Orion të NASA-s, duke u lëshuar në majë të një rakete nga Qendra Hapësinore Kennedy, jo më herët se fundi i vitit 2024.
Ata do të fluturojnë përreth Hënës në një hark kohor prej dhjetë ditësh dhe do të kthehen në Tokë, një prelud i uljes në hënë nga dy astronautë të tjerë një vit më vonë.
Komandant misioni është Reid Wiseman. Me të do të fluturojnë aviatori afrikano-amerikan Victor Glover; Christina Koch, e cila mban rekordin botëror për fluturimin më të gjatë në hapësirë nga një grua; dhe Jeremy Hansen nga Kanadaja. Të gjithë janë veteranë të hapësirës, përveç zotit Hansen.
“Kjo është një ditë e rëndësishme. Kemi shumë për të festuar dhe është shumë më tepër se katër emrat e shpallur”, tha zoti Glover.
Ky është ekuipazhi i parë i fluturimeve drejt hënës që përfshin një grua dhe një individ që nuk është nga Amerika, si dhe ekuipazhi i parë i misionit të ri nga NASA që quhet Artemis.
Në fund të vitit të kaluar, një kapsulë Orion pa njerëz fluturoi drejt hënës dhe u kthye në tokë, duke përfunduar me sukses një provë të shumëpritur.
Gjatë misioneve Apollo nga viti 1968 deri në vitin 1972, NASA dërgoi në hënë 24 astronautë. Dymbëdhjetë prej tyre zbritën në sipërfaqen hënore. Që të gjithë ishin pilotë testimi të trajnuar nga ushtria amerikane, përveç zotit Harrison Schmitt të misionit Apollo 17, një gjeolog që e mbylli atë epokë të zbarkimit në hënë së bashku me të ndjerin Gene Cernan.
Nëse misioni i parë shkon mirë, NASA synon që brenda vitit 2025 të ulë në hënë dy astronautë. NASA e bëri përzgjedhjen e ekuipazhit mes 41 astronautëve, ndërsa Kanadaja kishte katër kandidatë./VOA