Në një prononcim për mediet, ish-tekniku i Bayern Munich u shpreh se ndjehet shumë i privilegjuar që iu besua kjo detyrë.
“Nuk jam i shqetësuar sepse kam besim të plotë te ekipi dhe stafi i trajnerëve. Është një privilegj i madh të jesh menaxher i një ekipi që pret Kampionatin Evropian. Ka shumë dëshirë për t’u përmirësuar”-tha ai.
Më pas i pyetur se cili do të jetë kapiteni i Gjermanisë nën drejtimin e tij, 36-vjeçari theksoi se nuk do të ndryshojë asgjë dhe se Ilkay Gundogan do vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit.
“Unë nuk do ta ndryshoj, do të jetë Ilkay Gundogan, të cilin e vlerësoj si lojtar dhe si person. Unë tashmë kam folur me Ilkay dhe i kam bërë të ditur se ai është kapiteni ynë dhe se do të mbetet në atë rol”-vijoi Nagelsmann.
Ndërsa sa i përket kohëzgjatjes së kontratës së tij, trajneri theksoi se prioritet ka vetëm EURO 2024-ën.
“Kampionati Evropian është prioriteti, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Kryesore është që ne kemi një turne të madh për të luajtur në shtëpi. Gjëja e dytë është që unë dua të krijoj besim të ndërsjellë përmes punës që do të bëjmë. Është e rëndësishme që të punojmë mirë së bashku, puna të jetë shpërblyese dhe të jemi të suksesshëm. Nëse ia dalim, nuk shoh arsye për të mos vazhduar në këtë rol, por nuk jam duke menduar për këtë, dua të shpërblej besimin që më është dhënë duke bërë një punë të mirë dhe besimi nuk vjen vetëm përmes një kontrate 5-vjeçare”-mbylli fjalën e tij Nagelsmann.