Ne vazhdën e aktiviteteve shtetërore për nder të 17 shkurtit, janë përkujtuar edhe 1133 fëmijët e vrarë gjatë luftës, me ç’rast krerët e shtetit së bashku me disa fëmijë kanë ndezur po edhe aq qirinj për t’i kujtuar këta fëmijë.
“Na ishte njëherë, që kurrë mos qoftë” ishte motoja e vendosur para Teatrit Kombëtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se secili nga këta 1113 qirinj është për të kujtuar nga një fëmijë të vrarë gjatë luftës.
Ai tha se “sakrifica e popullit është e madhe, plagët janë të thella, dhimbja është e pafund”.
“Pavarësisht dhimbjeve e humbjeve tona, jemi bashkë dhe ka shpresë për ne. I kemi 1133 qirinj sepse secili prej këtyre qirinjve kujton një fëmijë që është vrarë gjatë luftës Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët janë të thella, dhimbja është e pafund”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti ka treguar se është duke u punuar për memorialin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
“Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës do të jetësohet. Ai po punohet nga grupi punues që udhëhiqet nga Saranda Bogujevci, e cila i ka mbijetuar masakrës së luftës”, ka treguar Kurti.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, tha se janë pikërisht fëmijët ata që e motivojnë dhe e çojnë Kosovën përpara.
“Na jepni kaq shumë motiv e inspirim për të ecur përpara sepse për ne nuk ka gëzim më të madh sesa kur ju shohim duke buzëqeshur”.
“Kujtimi për ta do të rrojë përherë në zemrat e gjithsecilit prej Kosovës. Ata familjarë e prind të atyre fëmijëve ju shohin juve sot dhe kuptojnë që gjaku i tyre nuk ka shkuar huq”.
“Jam e bindur që të gjithë që jeni këtu do ta shpieni Kosovën drejt sukseseve të reja”, u është drejtuar presidentja fëmijëve.
Njëjtë u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se kur sheh fëmijët e Kosovës, e kupton se “s’ka kush që na ndal si popull”.
“Mu definicioni i fëmijëve më duket se mund të thuhet me dy fjalë, pafajësi dhe ardhmëri”.
“Edhe pse si vend kemi kaluar shumë vështirësi, kur po ju shoh duke u rritur të lirë po e kuptoj se s’ka kush që na ndal si popull”.
“Duke i kujtuar ata që janë flijuar, e mbrojmë vendin”, përfundoi Konjufca.