Beratasi shënon dopietë, kryeson garën për golashënues në La Liga 2
Liga e dytë spanjolle ka folur sërish shqip. Pas golit të Armando Sadikut, ishte radha e Myrto Uzunit për të tundur rrjetën në nivelin e dytë të futbollit iberik, duke shënuar dy herë dhe qënë tepër vendimtar për Granadën. Beratasi ishte fenomenal në fushë, duke realizuar dhe i dhënë fitoren skuadrës së tij kundër Mirandes me shifrat 2-1.
Kur po kronometrohej minuta e fundit e pjesës së parë, Uzuni shfrytëzoi mirë një top të kolegut të repartit Hoze Kajehon për të shënuar me lehtësi. 27-vjeçari goditi bukur nga hyrja e zonës për të kaluar në avantazh Granadën.
Me rikthimin në fushë, Mirandes barazoi llogaritë e sfidës.
Megjithatë, fjalën e fundit e tha sërish Uzuni, i cili realizoi edhe golin e dytë personal dhe atë të fitores për skuadrën e tij, pretendente për tu ngjitur në elitë në fund të sezonit. Një dopietë tepër e bukur nga ana e sulmuesit kuqezi, i cili vjen më i karikuar se kurrë në grumbullimin me kombëtaren. Uzuni pritet të jetë titullarë në dy përballjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit dhe Islandës.
Ndërkaq, me këtë dygolësh, Uzuni ngjitet në kuotën e 6 golave në po kaq ndeshje, duke kryesuar edhe listën e golashënuesve.
Klan News