Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatojë për Gjykatën Speciale, pas aktakuzës së re që mbrëmë u konfirmua për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe ti thot STOP përndjekjeve politike!”, ka shkruar Musliu.
Ja çka thuhet në aktakuzën e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt dhe të tjerëve
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në akuzë thuhet mes tjerash se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.
Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.
“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”, thuhet në Aktakuzë.
Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”.
Sipas aktakuzës këto grupe ishin krijuar me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet tutje në njoftim. /Reporteri.net/.